Reshjet e borës sjellin vështirësi në qarkullimin e mjeteve në Bulqizë, zonat më problematike

BULQIZË- Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin e Rrugës së Arbërit. Situata paraqitet më e vështirë në Vajkal, në aksin rrugor Fushë Bulqizë- Plan i Bardhë për shkak të erës së fortë që ka grumbulluar dëborë në rrugë, duke bërë që makinat të lëvizin vetëm në një krah.
Autoritetet rrugore po monitorojnë situatën, sakaq i bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet gjatë natës dhe të udhëtojnë me kujdes. Pavarësisht se borëpastruesja ndodhet në terren, era e fortë grumbullon dëborë në rrugë. /ZËRI
Situata në vend pas përmirësimit të motit, cilat rrugë vijojnë të jenë ende të bllokuara

TIRANË-Bazuar në informacionet e dërguara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor, situata deri në orët e para të ditës paraqitet relativisht e qetë, krahasuar me ditët që lamë pas. Nga raportimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ditën e sotme të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme.
Pas dy ditësh, gjatë natës është hapur dhe bërë i kalueshëm by pass-i Qafë Murrizit në rrugën e Arbrit. Për shkak të erës së fortë, ende ka vështirësi në qarkullim në segmentin Fushë Bulqizë deri në Planin e Bardhë.
Në bashkinë Dibër ka problematika në rrugët rurale në disa fshatra të njësive Maqellare, Melan, Luzni, Muhurr. Po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin njësinë administrative Kala e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.
Në bashkinë Bulqizë: Janë të bllokuara rrugët rurale të njësive administrative Ostren, Trebisht, Klenjë, Gjoricë, Zerqan dhe aksi rrugor Trebisht-pikë kalimi kufitar.
Në bashkinë Klos: janë të bllokuar rrugët e fshatrave me qendrat administrative Gurë dhe Xibër.
Në bashkinë Mat janë të bllokuara 2 fshatra në njësinë administrative Komsi dhe aksi rrugor Vig Macukull.
Në bashkinë Krujë po vijon puna për hapjen e rrugës që lidh fshatin Shkretë me aksin Cudhi-Qafështamë.
Në bashkinë Fushë-Arrëz vazhdon të jetë e bllokuar rruga me njësinë administrative Iballë me fshatrat e saj.
Në Bashkinë Devoll vijon puna për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat Miras.
Në bashkinë Pogradec po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë.
Në bashkinë Has po punohet për hapjen e rrugës që lidh njësinë administrative Arrën me rrugën nacionale dhe rrugët e fshatrave Cahan dhe Xhebexhi.
Vijojnë angazhimin për normalizimin e situatës në Vlorë, prej tashmë tre ditësh Forcat e Armatosura me 7 pompa thithëse dhe 15 mjete të kalueshmërisë së lartë, ekskavatorë, kamionë vetëshkarkues etj.
Sipas parashikimit të motit në ditët në vazhdim nuk do ketë prezencë të reshjeve të shiut apo të borës në të gjithë vendin. Temperaturat do vijojnë të ulen, ku në veri të vendit do të shkojë në -11 gradë celsius.
Janë në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet në nivel qendror dhe vendor të sistemit të mbrojtjes civile për përballimin e çdo situate që mund të shkaktohet nga kushtet e motit./ZËRI
Rrugë të bllokuara dhe dhjetëra fshatra pa drita, si paraqitet situata në Shkodër

SHKODËR-Situata në Shkodër vijon të mbetet problematike, si pasojë e reshjeve të borës dhe erërave të forta. Disa zona raportohet të jetë pa energji elektrike.
Situata më problematike mbetet në bashkinë Fushë Arrëz, ku temperaturat janë shumë të ulëta dhe vijojnë erërat. Autoritete njoftojnë se rruga Iballe është e bllokuar dhe shkollat në njësitë administrative Qafë-Mali, Iballe, Blerim dhe Fierzë mbeten të mbyllura.
Në njësitë administrative Rrethija dhe Pult në bashkinë Shkodër kanë probleme me furnizimin me energji elektrike. Probleme ka edhe në bashkinë Vau dejës, kryesisht në njësitë administrative Temal dhe Shllak./ZËRI
Probleme nga dëbora edhe në juglindje, fshatrat pa energji elektrike

KORÇË-Reshjet e dendura të dëborës në jug-lindje të vendit kanë shkaktuar izolimin e disa fshatrave në Bashkinë Kolonjë dhe zona përreth. Në Qarkun e Korçës gjatë natës ka patur reshje të dobëta dëbore të shoqëruara me erë të fortë në disa zona të cilat kanë mundësuar përqendrimin e dëborës në rrugë e vende të ndryshme, temperaturat kanë shkuar deri në -7 gradë, kryesisht në zonat malore.
Në Njësinë Administrative Çlirim të Kolonjës, fshatrat Kurtës, Selenicë, Pishës, Qesarakë, Kaltanj, Blush, Psar i Zi dhe Orgockë mbeten të bllokuara për shkak të trashësisë së madhe të dëborës.
Gjithashtu, probleme me furnizimin me energji elektrike raportohen në fshatrat Radanj, Gërmenj, Vrepskë, Sotirë dhe Podë në zonën e Leskovikut, si dhe në fshatin Mbreshtan pranë Ersekës.
Situata paraqitet e rënduar edhe në Bashkinë Pogradec, ku fshatrat e Njësive Administrative Dardhas, Velçan, Trebinjë dhe Proptisht janë të izoluara. Trashësia e dëborës në këto zona ka arritur deri në 40 centimetra. Probleme me rrugët dhe energjinë elektrike raportohen edhe në fshatrat e Njësive Administrative Lekas dhe Vithkuq, si dhe në Devollin e Sipërm.
Autoritetet lokale dhe ekipet emergjente vijojnë punën për zgjidhjen e problemeve dhe rikthimin e normalitetit në këto zona të prekura nga moti i ftohtë./ZËRI
Moti i keq! Trashësia e dëborës në Dibër arrin në një metër, Lezha, Kurbini e Mirdita vijojnë pa drita

DIBËR-Vijojnë të jenë prezentë problematikat si pasojë e motit të keq në qarkun e Dibrës. Reshjet e dëborës janë ndërprerë që natën e mbrëmshme, por ja kanë lënë vendin ngricave. Temperatura në Bulqizë ka shënuar -15 gradë. 60% e fshatrave të Qarkut Dibër janë të bllokuar, pasi lartësia e dëborës arrin rreth 1 metër në Lurë, Selisht, Kalaja-Dodës, Sllovë, Trebisht dhe Ostren. Rruga nacionale Peshkopi-Bulqizë në disa segmente duhet të përdoren zinxhirët.
Për shkak të reshjeve të dobër prej dy ditësh rruga ishte bllokuar dhe qarkullimi bëhej vetëm nga aksi i vjetër Bulqizë, Klos, Burrel. Ditën e sotme automjetet mund të kalojnë në Rrugën e Arbrit dhe ndërkohë po vijon puna për zhbllokimin e disa akseve të tjera.
Në bashkitë Kurbin, Lezhë dhe Mirditë, ka probleme me energjinë elektrike, ndërkohë po punohet për riparimin e defekteve. Po ashtu, po punohet për pastrimin e qytetit nga mbeturinat e sjella nga era.Në Mirditë, po punohet për pastrimit rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre. Kuota e lumit Drin e Mat vazhdojnë të jenë në nivele minimale, ndërsa hidrovorët janë në gatishmëri.
Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura dëbore. Bllokimi i rrugëve, përmbytje dhe probleme me energjinë elektrike, u raportuan në gjithë vendin./ZËRI