Kush janë politikanët që u takuan me eksponentë të krimit në Aruba? Kreu i SPAK: Hamendësime...do bëjmë transparencë
TIRANË-Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho deklaroi nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionalese se detaje të reja lidhur me dosjen e njohur 'Aruba', do të bëhet transparente kur të përfundojnë hetimet.
Dosja i përket grupit kriminal të trafikut të drogës e pastrimit të parave, pjesë e të cilit janë biznesmeni Artur Shehu, Artur alias Luçiano Koçeku, Alfredo Hamzai, Ilir Shtufi, Orest Sota e Orgest Birçaj. Një nga episodet më të përfolura të hetimit ndërkombëtar për trafik droge dhe pastrim parash që po zhvillohet nga SPAK është takimi në Aruba, ku pretendohet se në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë shqiptare. Deputeti i PD Ivi Kaso, kërkoi që SPAK të bënte publike emrat e zyrtarëve të lartë që ishin takuar në Aruba me eksponentë të krimit të organizuar. Në përgjigje Braho u shpreh se çështja është në hetim dhe SPAK nuk merret me komente politike, ndërsa theksoi se në përfundim të hetimeve do të ketë transparencë për publikun.
Ivi Kaso: Duke u ndalur te dosja Aruba, predispozohet se ka një takim me persona të krimit të organizuar me zyrtarë të lartë shqiptare. Ju shqetëson fakti që ka rrjedhur kjo dosje? A mendoni që keni një detyrim për shqiptarët, për të treguar se kush kanë qenë këta politikanë në takim, që kanë bërë plazh në janar, me apo pa mandat kryeministri, qoftë nga opozita e qoftë nga mazhoranca.
Klodian Braho: Është një çështje nën hetim. Nuk mund të ndodhë që SPAK të ketë një provë në një dosje dhe ajo të lihet aty në gjumë e të mos hetohet. Tjetër gjë mund të thuhet, por këto janë hamendësime, opinione. Kur të përfundojnë hetimet, institucioni mund të bëjë transparencë. Nuk merremi me komentet politike, të asnjë pale.
A po e hetoni "Albanian Files", do e thërrisni Ramën? Braho: Asnjë nuk është imun, sillni prova...
TIRANË-Kreu i SPAK, Klodian Braho në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale është pyetur edhe lidhur me çështjen “Albanian Files” dhe kryeministrin Edi Rama, për të cilin është kërkuar hetim nga qytetarët dhe Partia Demokratike. Deputeti Gjin Gjoni i ka drejtuar kreut të SPAK, një pyetje lidhur me mundësinë e nisjes së hetimeve. Braho u shpreh se asnjë person nuk është imun dhe nëse ka prova janë të ftuar t'i depozitojnë në Prokurorinë e Posaçme.
Gjin Gjoni: Shqipëria është në vendin e 91 për korrupsionin. Mosthirrja e kryeministrit, qoftë edhe si person në dijeni, për inceneratorët, Albanian Files, krimin e organizuar, a vë në pikëpyetje paanshmërinë tuaj? A është nisur një hetim ndaj Ramës në lidhje me Albanian Files, meqë zotëria në fjalë e trumbeton si arritje të madhe? A keni hetuar se kush janë personat që kanë porositur këto kulla dhe lidhjen e tyre me kryeministrin e Shqipërisë? Si janë bërë pagesat e kostove të projekteve që sot nuk janë miratuar ende nga shteti shqiptar, megjithëse është përgatitur një dosje me mbi 500 faqe.
Klodian Braho: Nuk kam asnjë koment. Nëse dikush ka prova, është i ftuar t’i depozitojë dhe të marrë përgjigje ligjore sipas ligjit. Asnjë person nuk është imun ndaj SPAK. Këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale.
Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) më 14 korrik ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me "Albanian Files". Duke iu referuar librit "Albanian Files", PD thotë se në të përshkruhet një skemë, përmes së cilës kryeministri, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, arkitektë dhe biznesmenë, orientonte përzgjedhjen e studiove ndërkombëtare të arkitekturës dhe lidhjen e tyre me investitorë shqiptarë, të cilët më pas përfitonin leje zhvillimi dhe ndërtimi për projekte në Tiranë dhe zonat bregdetare.
"The Albanian Files” (Dosjet e Shqipërisë), i redaktuar nga Anneke Abhelakh, është një botim që përmban nga një kapitull për secilën prej 60 studiove ndërkombëtare të arkitekturës që punojnë në Shqipëri. Në qendër të debatit është vendosur letra e arkitektit Reinier de Graaf, e cila ka tërhequr vëmendje dhe ka nxitur reagime e polemika në publik. Bëhet fjalë për një tekst të gjatë, të drejtuar kryeministrit Edi Rama gjatë zgjedhjeve të vitit 2025. Në letër, arkitetkit, i sugjeron kryeministrit Rama idenë për heqjen e zgjedhjeve dhe kalimin direkt të “mbretërimit”.
Lidhur me librin vetë kryeminstri Edi Rama nga podcasti i tij 'Flasim', deklaroi se ai ka shkruar vetëm pararhënien se libri është tërësisht i pavarur dhe përmbledh kontributet e studiove arkitekturore që punojnë prej dy dekadash në Shqipëri. Sipas tij, teksti është keqinterpretuar dhe është nxjerrë nga konteksti, duke u përdorur si pjesë e një fushate sulmesh ndaj botimit. Rama theksoi se letra ka natyrë satirike dhe autoironike, në përputhje me stilin e autorit, dhe nuk përbën një thirrje politike.
"Krimi Zgjedhor, fenomen shqetësues"/ Kreu i SPAK raporton te “Nismat Qytetare”: 46 hetime penale për zgjedhjet e fundit
TIRANË- Kreu i SPAK Klodian Braho është duke raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare në Kuvend për rezultatet gjatë vitit 2025.
I pyetur lidhur me hetimin e krimit zgjedhor, Braho u shpreh se mbetet njw fenomen shqetwsues. Teksa i pwrgjigjej pyetjeve, Braho bëri me dije se SPAK ka nisur 46 procedime penale lidhur me parregullsi të dyshuara gjatë zgjedhjeve të fundit.
“Sa i përket krimit zgjedhor, ne bëmë edhe parashtrimet tona për shifrat që disponojmë. Krimi zgjedhor është fenomen shqetësues dhe na shqetëson si prokurori. Nuk është një fenomen me të cilin ne pajtohemi. Nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë nga SPAK për çështjet zgjedhore, por është një perceptim. Ne nuk nisemi nga perceptimet, por nga faktet që përmbajnë dosjet...Në zgjedhje e fundit, SPAK ka nisur 46 procedime penale. Struktura e Posaçme ka ngritur një grup pune të posaçëm për të hetuar krimet zgjedhore. Ne përpiqemi që të zbatojmë të gjitha rekomandimet, që na vijnë nga ndërkombëtarët. Cilësia në hetime vetëm është rritur, duke qenë profesional të ndjekjen e çështjeve penale që kanë të bëjnë me krimet zgjedhore”, tha Braho.
Kreu i SPAK foli edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke bërë të ditur se kjo strukturë po ristrukturohet për t’iu përshtatur edhe formave të reja të kriminalitetit.
“BKH po merr gjithmonë e më shumë rëndësi si strukturë. Po mbushim edhe vendet, që i kemi pasur vakante. Edhe koordinimi me partnerët ndërkombëtarët është i rëndësishëm për ne. Vazhdojmë të ndjekim çështje, të shtetasve shqiptarë, që mund të shtrijnë kriminalitetin dhe jashtë Shqipërisë”, deklaroi Braho.