SHKODËR- Një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, është zbuluar nga Policia në zonën e njohur si 'Kanali i Drinit' në Shkodër. Në kuadër të operacionit të koduar 'Labirinti' në pranga kanë rënë 10 persona, të cilët u gjetën brenda ambienteve të përshtatura për veprimtarinë kriminale.
Sipas Policisë, ambienti ishte fshehur në një magazinë ku ishte krijuar një hyrje e kamufluar që të çonte në një hapësirë nëntokësore të ndarë në dy pjesë: njëra për kultivimin e kanabisit me llamba dhe tjetra për përpunimin e lëndës narkotike.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara kanabis dhe 170 kilogramë lëndë bimore e përpunuar, e paketuar në 10 thasë. Mes të arrestuarve, me origjinë nga qytete të ndryshme të vendit është edhe një 46vjeçar nga Poliçani, i cili ishte shpallur më herët në kërkim nga Policia e Shkodrës.
Të arrestuarit janë Dorjana Kovaçi, Migena Perçi, Agim Kovaçi, Endrit Kovaçi, Ronaldo Dule, Arben Guri, Artur Lika, Fatmir Luka, Ervin Toli dhe Anton Toli.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Labirinti”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u ushtruan kontrolle në dy objekte në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”.
Gjatë kontrollit në njërin prej objekteve, një magazinë, shërbimet e Policisë zbuluan një hyrje të kamufluar që të çonte në një ambient nëntokësor. Ambienti ishte i ndarë në dy pjesë, njëra e përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave dhe tjetra për përpunimin e lëndës narkotike.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë 10 shtetasit e konstatuar në këtë ambient:
-D. K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, të dyja banuese në Gjirokastër;
-A. K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, të tre banues në Cërrik;
-A. G., 37 vjeç, banues në Tiranë;
-A. L., 46 vjeç, banues në Poliçan;
-F. L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, të dy banues në Ishull-Lezhë;
- E. T., 25 vjeç, banues në Mirditë.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. L., 46 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga DVP Shkodër.
Gjatë kontrollit në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, si dhe 170 kg lëndë bimore e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të./ZËRI