ANGLI-Nëntë muaj pas vrasjes së 22-vjeçarit shqiptar Lorik Abazi në Angli detaje të reja janë zbardhur rreth ngjarjes. BBC shkruan se një koment për partneren e të akuzuarit dyshohet se është shkaku i konfliktit që përfundoi me vrasjen e 22-vjeçarit shqiptar në shkurt të këtij viti.
Lorik Abazi, vdiq pasi u sulmua me thikë në parkingun e makinave të Valley Retail Park në Croydon, në jug të Londrës, në orët e para të 15 shkurtit. Ellis Anim-Annor, 29 vjeç, nga Belgravia Gardens, Bromley, mohon vrasjen e Abazit.
Lorik Abazi kishte kaluar mbrëmjen e Shën Valentinit me partneren dhe miqtë e tij në një sallë bowlingu në Croydon. Më pas situata dyshohet se është përshkallëzuar, duke përfunduar në një përplasje të dhunshme. Sipas versionit të paraqitur nga prokuroria, pas largimit nga ambientet e lokalit, i akuzuari dyshohet se është kthyer dhe është përballur me grupin ku ndodhej edhe 22-vjeçari shqiptar. Sherri përfundoi tragjikisht me vrasjen e Abazit dhe plagosjen e dy personave të tjerë.
Çështja po shqyrtohet nga drejtësia britanike, ndërsa pretendimet e prokurorisë për motivin e konfliktit janë pjesë e procesit gjyqësor./ZËRI
