
SHKODËR-Katër persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë, të koduar “POLINOMI”. Në pranga janë vendosur Admir Selgjekaj, Elsid Ramci, Bujar Kukaj, Naim Kukaj, ndërsa në kërkim janë shpallur: Esat Kukaj, Denjan Kukaj dhe Anarldo Mulleti.
Mjeti tip “Volkswagen Passat” i cili drejtohej nga Elsid Ramci, 25 vjeç u ndalua nga autoritetet në lagjen “Guraj”, Malësi e Madhe. Gjatë kontrollit në mjet dhe në banesat e Bujar Kukajt dhe Naim Kukajt u gjetën dhe u sekuestruan 265.4 kilogramë kanabis. Ndërkohë gjatë kontrolleve në zonë në një sipërfaqe toke në pronësi të Bekim Kukajt, u gjetën edhe 2 mina të dyshuara antitank, të cilat iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura, për ekzaminim të mëtejshëm.
Policia njofton se Bujar Kukaj, Naim Kukaj, Esat Kukaj dhe Denjan Kukaj familjarë me njëri-tjetrin, magazinonin dhe paketonin lëndën narkotike, ndërsa të tjerët organizonin transportin dhe shitjen e saj, brenda dhe jashtë shtetit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet megaoperacioni antidrogë, i koduar “POLINOMI”, rezultat i një hetimi intensiv 4-mujor, nga sektorët për Hetimin e Narkotikëve dhe të Mbështetjes Operacionale Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Hetimi profesional, me metoda proaktive, rezultoi me finalizimin e megaoperacionit të koduar “POLINOMI”, në kuadër të të cilit u goditën tentativa e një grupi kriminal, për të shitur brenda dhe jashtë shtetit, mbi 265 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe posedimi i kundërligjshëm i minave të dyshuara antitank.
Konkretisht, në kuadër të megaoperacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. S., 38 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim;
-E. R., 25 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë vëllezërit, shtetasit:
-B. K., 56 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-N. K., 52 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Më tej, në vijim të megaoperacionit, u shpallën në kërkim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, vëllai tjetër i të arrestuarve, shtetasi E. K., 58 vjeç, djali i 56-vjeçarit, shtetasi D. K., 23 vjeç, si dhe shtetasi A. M., 39 vjeç.
Të 7 këta shtetas, të identifikuar si pjesëtarë të një grupi kriminal në fushat e prodhimit dhe trafikimit të sasive të mëdhaja të lëndëve narkotike, janë banues në Malësi të Madhe dhe kanë precedentë të mëparshëm kriminalë, për veprimtari në të njëjtat fusha.
Në kuadër të megaoperacionit “POLINOMI”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndërhynë në lagjen “Guraj”, Malësi e Madhe, ku ndaluan automjetin tip “Volkswagen Passat” që drejtonte shtetasi E. R..
Nga kontrollet në këtë automjet dhe në banesat e shtetasve të arrestuar, B. K. dhe N. K., u gjetën në total dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 265,4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e përgatitur dhe e paketuar për shitje dhe për trafikim.
Më tej, nga kontrollet e mëtejshme, në një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit B. K., u gjetën 2 mina të dyshuara antitank, të cilat iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura, për ekzaminim të mëtejshëm.
Ndërkaq, lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 celularë dhe 6 automjete që përdoreshin për transportimin e saj.
Gjatë periudhës hetimore ka rezultuar se shtetasit B. K., N. K., D. K. dhe E. K., familjarë të njëri-tjetrit, magazinonin dhe paketonin lëndën narkotike, ndërsa shtetasit A. S., E. R. dhe A. M. organizonin transportin dhe shitjen e saj, brenda dhe jashtë shtetit.
Policia e Shkodrës vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon hetimi për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë të përfshirë në të, si dhe për të individualizuar rolin dhe përgjegjësinë e secilit.