Politikë

Karburanti 32 lekë më pak për litër në 2027, Koçiu njofton ndryshimin e taksës së qarkullimit

Koçiu bëri me dije se kjo ulje do të realizohet përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit duke e cilësuar si një prej ndërhyrjeve që synojnë lehtësimin e shpenzimeve për qytetarët.

M.K.
Karburanti 32 lekë më pak për litër në 2027,
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu

TIRANË- Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka bërë të ditur një nga masat e parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027, që lidhet me uljen e çmimit të karburantit me 32 lekë për litër.

Koçiu bëri me dije se kjo ulje do të realizohet përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit duke e cilësuar si një prej ndërhyrjeve që synojnë lehtësimin e shpenzimeve për qytetarët.

“32 lekë më pak për litër karburant në pompë, përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit” shprehet Koçiu në videon e publikuar.

Zëvendëskryeministrja prezantoi gjithashtu edhe disa prej masave të tjera të buxhetit 2027, i cili kap vlerën e 10 miliardë eurove, mes tyre uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës, si dhe mbështetjen për pensionistët dhe familjet e reja.

Regimi i Koçiut:

“Që mos t’u marrë kohën kolegëve dhe meqënëse pasqyrat që mbajmë në duar na japin mundësinë për këtë komunikim, doja të ndaja drejtpërdrejt me qytetarët thelbin e këtij buxheti historik. Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike. Por kjo fuqi nuk matet vetëm me shifra, investime apo me zhvillimin e përditë. Ajo matet mbi të gjitha me ndryshimet që sjell në jetën e përditshme të njerëzve. Ne e dimë se rritja ekonomike nuk ndihet njësoj në çdo familje. Rriten pagat, por rriten edhe çmimet. Shtohen të ardhurat, por dhe nevoja dhe pritshmëritë e njerëzve. Një nënë që shkon në treg për të mbushur shportën e familjes. Një pensionist që llogarit çdo lekë për ushqimet dhe ilaçet. Apo një çift i ri që dëshiron të blejë shtëpinë e tij. Nuk e matin ekonominë me statistika, por me mundësinë për të jetuar më mirë. E pikërisht për këtë arsye, buxheti i vitit 2027, me një vlerë historike prej 10 miliardë eurosh, vendos në qendër njerëzit dhe familjet shqiptare. Kjo do të thotë: më pak shpenzime për produktet bazë me uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produktet e shportës, 32 lekë më pak për litër karburant në pompë, përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit. Rritjen më e madhe për pensionistët, më pak tatim mbi pagën për shtresat e mesme, mbështetje mujore për bebet gjatë pesë viteve të para, më shumë mundësi strehimi për familjet e reja dhe bursa më të larta për studentët në nevojë. Sepse nuk mjafton që ekonomia të rritet, ajo duhet të përkthehet në më shumë siguri, më shumë mundësi dhe më shumë mirëqenie për qytetarët. Dhe kjo është Shqipëria europiane që duam të ndërtojmë, një vend më i zhvilluar, ku çdo familje ka më shumë siguri për të sotmen dhe më shumë besim tek e ardhmja” tha Koçiu./ZËRI

MOS HUMB