TIRANË-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita gjatë një deklarate për mediat njoftoi se Policia e Shtetit ka identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit. Materialet për personat e identifikuar i janë referuar Prokurorisë. Sipas tij, personat e dyshuar janë identifikuar pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin përmes maskimit. Hita deklaroi se 201 efektivë janë plagosur gjatë ushtrimit të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Skënder Hita: Gjatë dy javëve të fundit, kryeqyteti është përballur me akte të rënda dhune, të drejtuara ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke cenuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. Si pasojë e këtyre akteve të dhunshme, 201 punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur gjatë përmbushjes së detyrës së tyre për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe ushtrimit të lirë të së drejtës për tubim paqësor.
Krahas veprimeve procedurale të kryera në vijimësi, strukturat e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, kanë intensifikuar punën për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private. Nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike, deri më tani janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin përmes maskimit.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore. Puna hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike vijojnë, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e plotë të çdo veprimi të dhunshëm të kryer gjatë dy javëve të fundit, përfshirë ato që kanë vënë në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve. Në këtë kontekst, dëshiroj të përsëris edhe një herë thirrjen time publike, në radhë të parë për prindërit, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në situata ku ushtrohet dhunë dhe rrezikohet siguria e tyre.