TIRANE- Agjencia Kombëtare Shtetërore e Informacionit (AKSHI), deklaron se është duke punuar për futjen e Inteligjencës Artificiale në shërbimet dixhitale të qeverisjes. Në një përgjigje për ZËRI-n disa ditë pasi ne publikuam artikullin ku zbulohej se AKSHI ka ngecur në këtë proces përballë zotimit që i bëri kryeministrit Edi Rama, ky institucion përgjigjet se tenderi i parë, që u anulua, ndodhi për shkak se asnjë nga kompanitë nuk ishte në përputhje me kriteret e përcaktuara. Nga ana tjetër, AKSHI nuk sqaron se çfarë do të ndodhë me këtë proces, në rast se edhe me çeljen për herë të dytë të garës, kompanitë garuese do të jenë në përputhje të kritereve. Më tej, sqaron se është duke punuar fort për të ardhmen e afërtë për ta bërë këtë premtim, realitet.
"Në vazhdën e pyetjeve të ngritura rreth anulimit të procedurës së prokurimit publik të Bashkimit Europian, për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në procesin e Transpozimit të Acquis për Integrimin Evropian, dëshirojmë të nënvizojmë se AKSHI mbetet i përkushtuar në zbatimin rigoroz të të gjitha hapave dhe procedurave të përcaktuara nga ligji për Prokurimin Publik dhe aktet nënligjore që rrjedhin prej tij. Procedura në fjalë u anulua pasi asnjë nga operatorët ekonomik nuk përmbushte kriteret e përcaktuara grupi i punës, dhe të kërkuara nga legjislacioni në fuqi, i cili shprehet qartë për hapat që duhet të ndiqen në rastin e shpalljes së një procedure pa fitues dhe për pasojë anulimin e saj. Ky nuk është një projekt i anuluar dhe së shpejti do të jetë sërisht për prokurim. Përmes këtyre masave dhe bashkëpunimeve strategjike, ne jemi të përkushtuar për të siguruar që implementimi i platformave ku është e integruar inteligjenca artificiale të jenë jo vetëm inovative, por gjithashtu etike dhe të përgjegjshme duke i bërë pjesë si terma reference në disa projekte të cilat do të shpallen në të ardhmen e afërt."-shkruan AKSHI në email-in për ZËRI.
Në fundin e vitit 2023, AKSHI hapi tenderin për futjen e AI në sistemet dixhitale duke nisur me integrimin e vendit në BE. Tenderi u anulua dhe Agjencia ende, edhe pse kanë kaluar 4 muaj nuk ka mundur ende të vendosë në shina punën për të kapur afatin e caktuar nga kryeministri Edi Rama, që është fundi i vitit 2024.
Nga ana tjetër, sistemet dixhitale të drejtuara nga AKSHI përballen herë pas here me probleme të theksuara, ku Kadastra paralizoi të gjitha shërbimet në muajin shkurt. Ky institucion është vënë në qendër të akuzave për lidhje korruptive dhe për tenderime skandaloze, që tashmë janë në fokusin e SPAK. Drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj është në rreth të kuq nga SPAK dhe është marrë disa herë në pyetje për tenderat e dhënë përgjatë kohës që e ka drejtuar këtë Agjensi. /ZËRI