Factcheck

'SKYndal'-DËSHMIA/ Si e zbërtheu Rebani Jaupi rolin e Ardi Veliut në mbrojtjen e bixhozit të Pëllumb Gjokës

Rebani Jaupi thotë, se vetë nuk ka qenë ai në hetim por ka qenë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përgjegjëse për hartimin e planit të masave, e drejtuar asokohe nga Ardi Veliu. 

f.g
'SKYndal'-DËSHMIA/ Si e zbërtheu Rebani Jaupi rolin e Ardi
Foto ilustruese

TIRANE- Më 4 prill 2024, Rebani Jaupi ish-drejtuesi i Policisë së Tiranës prej Majit të vitit 2019 deri më tetor të vitit 2021, u pyet nga oficerët e SPAK në lidhje me bisedat që biznesmeni Pëllumb Gjoka zhvilloi në "SKY ECC" me ish-shefin e Komisariatit nr.2, Oltian Bistri, pjesë e dosjes së njohur tashmë si Metamorfoza 1. 

ZËRI përballi episodet ku Oltian Bistri flet për mbrojtjen që kishte mundur të merrte nga Policia për të mos goditur pikat e lojërave të fatit që posedoheshin nga Pëllumb Gjoka, për ti krahasuar ato me dëshminë që Rebani Jaupi dha në SPAK ku sqaron pozicionin e tij.

Më 18 shkurt të vitit 2020, Oltian Bistri bisedon me Gjokën dhe e njofton se Policia ka një operacion për lojërat e fatit, ndaj atë ditë, pika e Pëllumb Gjokës duhet të jetë e mbyllur. Biseda vijon të nesërmen, më 19 shkurt ku sërish Bistri i kërkon Gjokës që të mbyllet pika pasi priten kontrollet. Në këto biseda, të nesërmen e 20 shkurtit, në mesnatë, Oltian Bistri përmend "të madhin" që ka takuar dhe operacioni është shtyrë. 

"...E di, por tani takova të madhin edhe më tha: “…e shtymë për nesër në darkë ndaj..."

Në orën 19:25, Bistri i shkruan sërish Gjokës për ti njoftuar se "drejtori" i ka thënë se pikën e Gjokës do e heqë nga lista, ndërsa për drejtorin e Tiranës, Rebani Jaupi thotë se nuk ka nevojë të flasë, pasi ai e di vetë. 

"...tani do filloj për pak, ik futu gjëkundi se si dihet, mos rri në qarkullim e fike telefonin. Po kot mo si dihet. Se di. Akoma s’na i kanë sjellë emrat dhe vendet. Drejtori tha, do e heq pikën nga lista. Jo. E din Rebua vetë, s’ka nevojë…”.

Kush është drejtori i "MADH" që flet Bistri? Edhe pse pa emër, dëshmia e 4 prillit 2024 e dhënë në SPAK nga ana e Rebani Jaupajt, sqaron se kush ka qenë hartuesi i listës së mbyllur ku rreshtohen emrat e pikave të paligjshme të lojërave të fatit. Rebani Jaupi thotë, se vetë nuk ka qenë ai në hetim por ka qenë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përgjegjëse për hartimin e planit të masave, e drejtuar asokohe nga Ardi Veliu. 

"Duke qenë se gjatë hetimit rezultoi se ky aktivitet ishte shtrirë edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë, në hetim u përfshi edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Unë vetë nuk kam qenë i përfshirë në hetim, por kam qenë i përfshirë në rakordimin e veprimeve me të gjithë komisariatet. Ky hetim di që ka përdorur metoda speciale hetimi dhe janë përfshirë shumë burime njerëzore...Kur është vendosur nga prokuroria që do bëhet goditja dhe ndalimi i personave, është bërë në një kohë."-shprehet Jaupi. 

Më tej ai rrëfen se ka qenë DPPSH, me në krye Veliun, zyra që ka hartuar zarfat e mbyllur për secilën drejtori. Po e njëjta zyrë, që Oltian Bistri shprehet se ka marrë garanci nga drejtori për ta fshirë nga lista. E ai drejtor në asnjë rast nuk është Rebani Jaupi. 

"Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, na ka dhënë secilës drejtori nga një zarf të mbyllur ku ishin personat dhe subjektet që do u ndalonin. Me sa kujtoj ka qenë ditën që janë ekzekutuar masat. Kujtoj që masat dhe kontrollet janë kryer në orët e mbrëmjes, dhe unë një orë para se të niste operacioni, kam thirrur shefat e komisariateve dhe i kam dhënë secilit një zarf me personat që ishin në territorin e atij komisariati. Më pas secili ka vijuar punën për llogari të vetë....".-përmbyll Jaupi deklarimin e tij duke sqaruar se plani operacional është përcaktuar nga Veliu. 

A do të merret në pyetje nga SPAK Ardi Veliu për përcaktimin e zarfave të mbyllur me emrat e pikave të basteve që do të mbylleshin? 

Në bisedat e SKY, ZËRI risjell një episod, ku Oltian Bistri shpreh stepjen e Jaupit për të lejuar pikën hapur, pasi kjo çështje kishte dalë përtej policisë dhe ishte interesuar vetë "Lleshi", duke iu referuar rolit të ministrit të kohës, Sandër Lleshaj. " vlla keq puna me këto. Me thirrën lart, se mbajmë dot pikën aty. A tju q**sh roptë këtyre. Se di. Më duket se është interesuar Lleshi vetë por mos fol me asnjë. Lidhje shoqërore e jotja etj. Sigurohu që s`të ndjek njeri dhe eja lart te fshati SOS Pallati i Brigadave te hoteli i Gaz Brahjas."-thotë Bistri. 

Më tej, ai thotë se Jaupi kishte frikë ndërsa Ardi Veliu nuk do pasi kjo çështje tashmë ishte bërë problem më i madh për tu menaxhuar nga vetë drejtoria e Policisë. "Ka frikë Rebaniu se i paskan thënë për këtë rastin dhe është tremb”, apo “ik fli tani apo ke punëtorë brenda? Kush është klienti më i fortë? I ke marrë ndonjë Tajvanit? Ty të duhen me lek, jo ata që s’i lënë andej. Ata që s’i lënë janë të mbaruar. Prit një herë të mbarojë aksioni. Unë e bëra për ty këtë se s’më ngrenë ato 1500 euro që marr. Se veç për ty e lashë. Është muhabet vk. Edhe për anë morale më tepër. Se vetëm stres. Vetëm këto sa bëjnë t’i lutem Rebos aman. Ai lekët do marri dhe kot i merr. Se di pse ka frikë. S’do as Ardi se i thashë. Bile dhe për këtë më çau k…n. I thashë e le punën e s’e heq se i kam dhënë llafin."-shkruan Bistri për Pëllumb Gjokën./ZËRI

Poll

MOS HUMB