
TIRANË- Kamza do të bëhet me godinë të re Bashkie, e cila do të ndërtohet në mes të stadiumit aktual të qytetit. Godina ekzistuese e Bashkisë së Kamzës, e cila gjendet në zemër të ‘Bulevardit Blu’ pritet që të shndërrohet në një kantier ndërtimi mbi të cilin do të ndërtohen pallate shumëkatëshe.

Nga projekti i godinës së re të Bashkisë, që ZËRI ka parë dhe konsultuar, vihet re se ajo do të jetë 4 katëshe, 1 nëntokë dhe 3 mbi tokë, ndërsa zhvendosja e godinës së re do të jetë qindra metra më tej nga ajo aktuale.

Në planin për ndërtimin e Bashkisë së re të Kamzës, e cila drejtohet në mandatin e dytë nga socialisti Rakip Suli, është edhe rikualifikimi i sheshit përrreth godinës, që praktikisht merr pothuajse të gjithë sipërfaqen e stadiumit aktual.

Ky projekt është njoftuar nga vetë Suli në dhjetor të vitit të kaluar, në mbledhjen e këshillit bashkiak. Sipas Sulit, godina e re e Bashkisë do të mundësohej nga paratë që pushteti lokal ka grumbulluar nga lejet e ndërtimit.
“Bashkia do jetë 700 metër kati i parë dhe 3 kate që të jetë dhe simbol për qytetin në breza …sepse kemi lëvizur, në çdo vend, bashkia është simbol i një qyteti, plus falë atij investimi, do të thoja strategjik, një investim që pak bashki kanë mundësi për ta bërë, siguron dhe parkimin për makinat, flas nëntokësor, krijon ambiente lart për të gjitha moshat, si për fëmijët, dhe për moshën e tretë. Ku do të jetë investimi për mua shumë, shumë i rëndësishëm, ku afërsisht mos gabohem kap vlerën 4.5 milionë dollarë”, ka deklaruar Suli pak muaj më parë.
Suli tha me krenari se numri i lejeve të ndërtimit ishte rritur në mënyrë ekstreme në Kamëz, dhe kjo ka sjellë sipas tij që viti 2023 të mbyllej me rreth 17 milion dollarë shtesë në arkën e bashkisë nga këto investime.
Këshilltari i djathtë Alfred Halilaj u shpreh asokohe se ndërtimet e pallateve janë shpërblim i votave të shkuara e të ardhshme dhe se as planifikimet urbane që vetë socialistët e kanë miratuar, nuk po i zbatojnë.
“Në buxhet, formula “një pallat – një votë” pësoi ndryshimin e llogaritur “një pallat – shumë vota”. Ndërsa lejet e dhëna para miratimit të Planit Vendor justifikohen, një plan që në vetvete u miratua pa pjesëmarrjen e qytetarëve, për hir të vertetës shprehet në rrjeshta për zhvillimin policentrik të qytetit. Ama Rakipi nuk e bën dot këtë, sepse lejet jepen vetëm në cep rruge dhe në qendër, aty ku fryma të merret dhe qytetari zhduket. Zhvillimi urban ka kritere të qarta dhe në rastin tonë, vetëm për jetë qytetare ose qytetase nuk mund të flitet në këto kushte".
Mes batutash në Kamzë thuhet se bashkisë i ka dalë pronari dhe duhet të lirojë ambientin, për të ccuar edhe më tej absurdin e kësaj situate, ku godina aktuale kthehet në pallat dhe bashkia shkon zapton të vetmen hapësire sportive që është stadiumi./ZËRI