Energji & Mjedis

Bota po bëhet gjithnjë e më e nxehtë - ja çfarë po i bën trurit tonë

Por nxehtësia mund të ndryshojë edhe mënyra të tjera se si funksionon truri ynë - duke na bërë më të dhunshëm, më të nevrikosur dhe më të depresionuar.

k.m.
Bota po bëhet gjithnjë e më e nxehtë - ja çfarë
Foto ilustruese

TIRANË- Ndërsa valët e të nxehtit bëhen më intensive me ndryshimet klimatike, shkencëtarët po garojnë për të kuptuar se si nxehtësia ekstreme ndryshon mënyrën se si funksionon truri ynë. Kur Jake ishte 5 muajsh, ai pati krizën e parë toniko-klonike, trupi i tij i vogël u ngurtësua dhe më pas u dridh me shpejtësi.

"Ishte jashtëzakonisht vapë, ai ishte nxehur shumë dhe ne pamë atë që menduam se do të ishte gjëja më e frikshme që do të shihnim ndonjëherë", thotë nëna e tij, Stephanie Smith. 

Krizat fillonin të shfaqeshin shpesh në mot të nxehtë. Sapo vinin ditët mbytëse dhe me lagështi të verës, familja përdorte të gjitha llojet e metodave të ftohjes dhe fillonte një betejë e ashpër për t'i mbajtur nën kontroll krizat. Pas një testi gjenetik në moshën 18 muajsh, Jake u diagnostikua me Sindromën Dravet, një gjendje neurologjike që përfshin një formë të epilepsisë dhe prek rreth një në 15,000 fëmijë. Krizat shpesh shoqërohen me aftësi të kufizuara intelektuale dhe një sërë sëmundjesh bashkëshoqëruese si autizmi dhe ADHD, si dhe vështirësi me të folurin, lëvizshmërinë, të ngrënit dhe gjumin.

Nxehtësia dhe ndryshimet e papritura të temperaturës mund të shkaktojnë kriza.

Jake tani është 13 vjeç, por ka duruar kriza të panumërta me ndryshimin e motit.

"Verat gjithnjë e më të nxehta dhe valët e të nxehtit po i shtojnë barrën e jetesës me këtë gjendje tashmë shkatërruese,"-, thotë nëna e tij. 

Sindroma Dravet është vetëm një nga shumë sëmundje neurologjike që përkeqësohen nga temperaturat më të larta, thotë Sanjay Sisodiya i University College London dhe një pionier në fushën e ndikimit të ndryshimeve klimatike në tru. Si një neurolog i specializuar në epilepsi, ai dëgjonte shpesh nga familjet e pacientëve se ata kishin më shumë probleme gjatë valëve të të nxehtit.

"Dhe mendova me vete, sigurisht, pse ndryshimi i klimës nuk duhet të ndikojë edhe në tru? Në fund të fundit, kaq shumë procese në tru janë të përfshira në mënyrën se si trupi përballon nxehtësinë."

Ndërsa hulumtonte literaturën shkencore, ai zbuloi një sërë gjendjesh neurologjike që përkeqësohen nga rritja e nxehtësisë dhe lagështisë, duke përfshirë epilepsinë, goditjen në tru, encefalitin, sklerozën e shumëfishtë, migrenën, e shumë të tjera. Ai zbuloi gjithashtu se efektet e ndryshimeve klimatike në trurin tonë tashmë po bëhen të dukshme.

Gjatë valës së të nxehtit në Evropë të vitit 2003, për shembull, rreth 7% e vdekjeve të tepërta përfshinin probleme të drejtpërdrejta neurologjike. Shifra të ngjashme u panë edhe gjatë valës së të nxehtit në Mbretërinë e Bashkuar të vitit 2022.

Por nxehtësia mund të ndryshojë edhe mënyra të tjera se si funksionon truri ynë - duke na bërë më të dhunshëm, më të nevrikosur dhe më të depresionuar. Sipas BBC, ndërsa bota ngrohet për shkak të ndryshimeve klimatike, çfarë efekti mund të presim në trurin tonë?

Truri i njeriut është, mesatarisht, rrallë më shumë se 1 gradë celcius më i nxehtë, se temperatura bazë e trupit tonë.

Megjithatë, truri ynë - si një nga organet më të etura për energji në trupin tonë - prodhon një sasi të konsiderueshme të nxehtësisë së vet kur mendojmë, kujtojmë dhe reagojmë ndaj botës përreth nesh. Kjo do të thotë që trupat tanë duhet të punojnë shumë për ta mbajtur atë të freskët. Gjaku që qarkullon përmes një rrjeti enësh gjaku ndihmon në ruajtjen e temperaturës së tij , duke larguar nxehtësinë e tepërt.

Kjo është e nevojshme sepse qelizat tona të trurit janë gjithashtu jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj nxehtësisë. Dhe funksioni i disa prej molekulave që kalojnë mesazhe midis tyre mendohet gjithashtu se varet nga temperatura, që do të thotë se ato ndalojnë së funksionuari në mënyrë efikase nëse truri ynë nxehet shumë ose ftohet shumë.

Edhe pse nxehtësia ekstreme ndryshon mënyrën se si funksionon truri i të gjithëve - kjo mund të ndikojë negativisht në vendimmarrje dhe të çojë njerëzit në marrjen e rreziqeve më të mëdha - ata me probleme neurologjike shpesh preken më rëndë.

Rritja e temperaturave është lidhur gjithashtu me një rritje të incidenteve dhe vdekshmërisë nga goditja në tru. Në një studim që analizoi të dhënat e vdekshmërisë nga goditja në tru nga 25 vende, studiuesit zbuluan se nga 1,000 vdekje nga goditja ishemike në tru, ditët më të nxehta kontribuan në dy vdekje shtesë. 

Ka ende pyetje të tjera që mbeten për t'u përgjigjur. Për shembull, a është temperatura maksimale, a është kohëzgjatja e një vale të nxehti apo temperatura e natës ajo që ka ndikimin më të madh? Kjo mund të ndryshojë për secilin person ose sipas gjendjes neurologjike./ZËRI

Poll

MOS HUMB