TIRANË- Rikonfirmime dhe emërime të reja në Grupin Parlamentar të PD-së nga kryedemokrati Sali Berisha, kanë shkaktuar tension brenda selisë blu. Deputeti demokrat për qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj deklaroi se ka votuar kundër Bardhit, teksa në një komunikim me gazetarët ai tha se Berisha gaboi rëndë më këtë zgjedhje.
“Isha kundër kryetarit të grupit parlamentar. Mendoj se Doktor Berisha ka gabuar në këtë rast, ka gabuar rëndë madje!”, tha Leskaj.
I pyetur nëse kjo është ndarje me PD, Leskaj u shpreh se nuk do të ndahet nga Partia Demokratike dhe se i bindet vetëm votuesve demokratë.
“Pse do ndahem?! Jam deputet i Partisë Demokratike”, tha Leskaj për gazetarët.
Kreu i demokratëve, Sali Berisha, rikonfirmoi Gazment Bardhin në krye të Grupit Parlamentar të PD-së, ndërsa si nënkryetarë Belind Këlliçin dhe Tomor Alizotin. Sekretare e grupit është emëruar Elda Hoti, ndërsa zëdhënëse Ledina Alolli. Gjithashtu, Agron Gjekmarkaj u konfirmua si nënkryetar i Kuvendit./ZËRI
