TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar emrat e drejtuesve të Grupit Parlamentar të PD-s. Në një konferencë për mediat, Berisha ka rikonfirmuar kreun e Grupit të PD-së, Gazment Bardhin. Nënkryetar vendosi që të jetë Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti. Elda Hoti do të jetë sekretare e Grupit Parlamentar, ndërsa zëdhënëse do të jetë Ledina Aliolli. Ndërkohë, deputeti Agron Gjekmarkaj do të vijojë të mbajë postin e Nënkryetarit të Kuvendit.
"Në konstituimin e kryesisë së grupit parlamentar, është menduar dhe në tërësi është kërkuar që të mos ketë dublikime funksionesh dhe të këtij parimi duhet të mbahemi sepse është i drejtë. Ndaj dhe mendoj se kryetar i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi. Gazment Bardhi, në kushte jo të lehta, por jam i bindur se e përfaqësoi dhe udhëhoqi grupin me një vendosmëri të madhe, në kushte të vështira. Kam bindjen se ky grup me mbështetjen që do i bëjë Gazment Bardhit, do të njohë një perfomancë të re gjatë kohërave që vijnë.
Për nënkryetarë të grupit parlamentar, Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti, dy të rinj me formimin e tyre politik, me kontributet e tyre. Sekretare Elda Hoti, detyrë që e ka kryer me përgjegjësi të madhe edhe si deputete edhe si sekretare dhe zëdhënëse, Ledina Aliolli. Sot, thashë të konsituojmë grupin. Nesër ose pasnesër, do të miratojmë bashkë përfaqësuesit tanë në komisionet parlamentare. Nënkryetar Kuvendi, Agron Gjekmarkaj", tha Berisha.
Kryedemokrati komentoi edhe vendimin e kryeministrit Edi Rama për të kryer zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar si më të dobëtin në historinë e vendit. Berisha nuk i kurseu sulmet ndaj Ogerta Manastirliut, të cilën Rama e zgjpdhi kandidaturë të PS për Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar një simbol të zi për Tiranën dhe kombin.
“Padiskutim kemi kandidatura, por do të dalë në bazë të procedurave. Mendoj së PD ka figura të shquara për t’ia paraqitur qytetarëve të Tiranës, që mishërojnë çdo vlerë përballë një personi që është simbol i zi për Tiranën dhe kombin. Nuk mund të ketë emër tjetër përveçse korba e Covid”, tha Berisha.
I pyetur nëse do të zgjedhë Ilir Alimehmetin, Berisha tha: “A më shkon mua të avancoj pa një diskutim, por vetëm nga mendja ime. Nuk mund ta bëj”.
Megjithatë, ai theksoi se Alimehmeti është një figurë e shquar dhe e denjë për t’u promovuar në shumë funksione./ZËRI