
ITALI- Policia ka vënë në pranga një 44-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, për të cilën kishte thënë më herët se ishte vetëvrarë duke u hedhur nga dritarja e banesës.
Ahmed Mustak u arrestua për vrasjen e 32-vjeçares Sharmin Sultana, krim që u zbulua vetëm falë një vizatimi të bërë nga vajza e madhe e çiftit.
Autoritetet që në momentet e para kishin dyshime për vërtetësinë e deklarimeve të Ahmed, pasi ai raportohet se e dhunonte bashkëshorten, me të cilën prej vitesh jetonin së bashku në shtetin italian.
Vdekja ndodhi më 7 mars në lagjen “Sestri Ponente” të Xhenovas. Fillimisht u mendua për vetëvrasje, por edhe familja e gruas kishte shprehur dyshime për bashkëshortin. Sharmin Sultana ra nga dritarja e shtëpisë së saj, teksa i shoqi i cili ndodhej brenda i tha policisë së nuk pa gjë pasi ishte shtrirë në shtrat, dhe nuk kishte dëgjuar as zhurmë.
Sipas deklarimeve të fëmijëve të moshës 7 dhe 10 vjeç, babai i tyre shpesh e godiste nënën sepse ajo rrinte në telefon dhe bënte video në TikTok.
Përcaktuese për hetimet kanë qenë edhe dëshmitë e të afërmve dhe miqve të gruas, të cilët e kanë cilësuar gjithmonë si një person gazmor, plot dëshirë për të jetuar. Një person që në të njëjtën kohë ishte ankuar disa herë për sjelljen e të shoqit./Zëri