
GREQI- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i Vangjelis Zabunis në qendër të Athinës, i cili dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë. Ekzekutimi ka ndodhur për vetëm 28 sekonda, ndërkohë që në drejtim të 44-vjeçarit, u qëllua nga 3 armë, dhe u dërdhën më shumë se 90 plumba. Ai u ekzekutua mbrëmjen e të shtunës, ndërkohë që vrasja e tij dyshohet se ka kushtuar rreth 300 mijë euro. Në Athinë prej kohësh flitej nën rrogoz për një vrasje të ‘madhe’.
Nga mënyra e ekzekutimit, armët e përdorura, plumbi në pallë për tu siguruar që vdiq, tregojnë se autorët kanë qenë njerëz të stërvitur mirë me armët, dhe sipas mediave greke ‘të importuar’ nga vendet fqinje.
Vangjelis Zabunis akuzohet për disa nga vrasjet më me bujë në Athinë, sikurse vrasja e Stafankos dhe Grivës, kokat e shantazheve në Greqi; vendosje bombash dhe grabitjen e Panagopulos.
Kamerat e sigurisë të bizneseve në zonën ku ndodhi vrasja, kanë filmuar momentin kur viktima hyn në makinën që kishte parkuar në rrugë. Pas sekonda më pas, afrohet makina e autorëve. Këta të fundit, dalin jashtë dhe qëllojnë dhjetëra herë drejt makinës së Vangjelis Zabunis. I pamëshirshëm në aktin e tij, një nga ekzekutorët hap derën e makinës dhe vazhdon të qëllojë sërish, për të qenë më se i sigurt se Zabunin ka vdekur.
Policia tha se gjeti 97 gëzhoja në vendngjarje dhe se dyshohet që atentatorët të kanë përdorur 3 armë të ndryshme, të paktën 2 kallashnikovë, që u gjetën në makinën e djegur të autorëve) dhe një pistoletë 9 mm.
Zabunis, një eksponent i rëndësishëm i botës së krimit në Greqi, u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Ilia Iliu”, në qendër të Athinës. Pak minuta pas ekzekutimit në dalje të Athinës në vendin e quajtur Hajdari, u gjet i djegur edhe automjeti i autorëve, një fuoristradë e cila rezultonte e marrë me qira, ndërsa brenda mjetit ndodheshin edhe armët e përdorura në vrasje.
/ZËRI