
RUSI - Trupi i Alexei Navalnyt nuk është në morgun që u tregua nga autoritetet ruse. Kështu pohojnë bashkëpunëtorët e disidentit, i cili vdiq të premten në burg, ku vuante dënimin me 19 vite për ekstremizëm politik. Në fakt, një punonjës i objektit Salekhard pretendon se nuk e ka marrë trupin dhe këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, e cila akuzoi Moskën se gënjente për shkaqet e vdekjes.
Avokati i Navalnyt vizitoi morgun dhe e gjeti të mbyllur. Yarmysh shkruan përsëri në X. “Avokati dhe nëna e Alexeit mbërritën në morgun Salekhard. Ai është i mbyllur, pavarësisht nga garancitë e kolonisë kriminale. Avokati thirri numrin e telefonit të shënuar në derë, i thanë se ishte personi i shtatë që telefonoi sot. Ata nuk e kanë trupin në morg".
Zëdhënësja shpjegoi më pas se kishte marrë informacione të mëtejshme nga një punonjës i burgut, i cili i tha se trupi ndodhej në Salekhard, ku ata kryen hetime për vdekjen. Gjithashtu ajo ka kërkuar që trupi t'i dorëzohet menjëherë familjes.
Sipas zëdhënëses, komitetit hetimor të Salekhardit iu tha se shkaku i vdekjes së Navalnyt nuk është përcaktuar dhe është kryer një ekzaminim i ri histologjik. Rezultatet pritet të publikohen javën e ardhshme. “Është e qartë se ata gënjejnë dhe bëjnë gjithçka që munden për të shmangur dorëzimin e trupit", thanë njerëz të afërt me Navalnyn. Ndërkohë, nëna e Navalnyt po udhëton për në koloninë penale, ku djali i saj ishte në burg./ZËRI/