
RUSI- Zëdhënësja e kreut të opozitës ruse, Aleksei Navalny, ka konfirmuar vdekjen e kritikut më të njohur të Vladimir Putin. Ajo ka kërkuar që trupi i 47-vjeçarit t’i dorëzohet familjes, pasi autoritetet ruse, me urdhër të Putin, kanë refuzuar t’i dorëzojnë trupin e pajetë nënës të politikanit, Lyudmila Navalnaya. Ajo ka qenë edhe në morgun e spitalit, për të identifikuar djalin.
Kira Yarmysh, teksa ka shkruar në platformën X, tha se Navalny ishte vrarë më datë 16 shkurt 2024. Ajo ka shkruar më tej se autoritetet ruse janë duke kryer hetime. “Ne kërkojmë që trupi i Aleksei Navalnyt t’i dorëzohet menjëherë familjes”, ka thënë ajo.
Politikani 47-vjeçr, ish-avokat, që hyri në politikë më shumë se një dekadë më parë, për shkak se kishte bërë deklarata kundër regjimit të Vladimir Putin, ndodhej në burg rreth 60 km në veriun e Rrethit Arktik.
Navalny, që ishte dënuar me burg dhe parashikohej që të dilte nga qelia në moshën 76-vjeçare, kishte thënë se Rusia e Putinit drejtohet nga hajdutë dhe kriminelë. Ai kishte theksuar se një ditë do të kishte rebelim ndaj regjimit dhe ndryshime të paimagjinueshme. Navalny kishte thirrur disa herë protesta të mëdha opozitare, përpara se të burgosej në vitin 2021. Ai i kishte mbijetuar më herët një atentati me helmim./ZËRI/