SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se mund të largojë nga detyra dy prej këshilltarëve të tij, Chris LaCivita dhe James Blair, nëse angazhimet e tyre të jashtme rezultojnë në konflikt interesi.
Reagimi i Trumpit erdhi pasi u bë e ditur se dy këshilltarët kishin përfituar financiarisht duke ofruar këshillim për një parti politike pro-ruse në Bosnje, ndërsa republikanët në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit.
“Atyre u lejohet të punojnë për të tjerët, ashtu si të gjithë konsulentët në Uashington, DC. Unë nuk kam asnjë ide se për kë tjetër punojnë, por, pasi të reflektoj, do t’i pyes ata dhe, nëse ka një konflikt, do t’i pushoj menjëherë nga puna!” shkroi Trump në Truth Social.
Presidenti amerikan sqaroi se LaCivita dhe Blair nuk janë punonjës të drejtpërdrejtë të tij, por konsulentë të jashtëm dhe se mund të kenë edhe klientë të tjerë.
James Blair ka mbajtur më herët postin e zëvendësshefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë për çështjet legjislative, politike dhe publike. Në maj ai u largua nga detyra për të drejtuar përpjekjet republikane për zgjedhjet e mesmandatit përmes super PAC-ut pro-Trump, MAGA Inc.
Ndërkohë, Chris LaCivita drejtoi fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2024 së bashku me Susie Wiles, e cila aktualisht është shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë. LaCivita vazhdon të jetë një aleat i rëndësishëm politik dhe këshilltar i lartë i MAGA Inc.
Angazhimi i dy këshilltarëve në Bosnje u bë publik një ditë më parë nga The New York Times. Lajmi shkaktoi reagime, pasi Blair dhe LaCivita ishin angazhuar në çështjet zgjedhore të Republikës Srpska në një kohë kur vëmendja e tyre pritej të ishte e përqendruar te fushatat e republikanëve në Shtetet e Bashkuara./ZËRI