BRUKSEL- Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë një raport pro zgjerimit të Bashkimit Europian. Me 387 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenim. Brukseli rikonfirmoi vullnetin për anëtarësimin e vendeve të reja në BE, si një investim strategjik në sigurinë dhe stabilitetin e Evropës, ndërsa argumenton se kostoja do të ishte më e lartë në rast moszgjerimi.
“Zgjerimi forcon sigurinë e Bashkimit Evropian dhe parandalon zonat gri gjeopolitike destabilizuese. Kostoja e moszgjerimit do të tejkalonte atë të përthithjes së anëtarëve të rinj. Zgjerimi është një përgjigje strategjike ndaj realitetit gjeopolitik në zhvillim dhe një investim jetësor në sigurinë dhe stabilitetin e BE-së”, shkruhet në raportin e PE.
Raporti vlerëson punën e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin integrues, ndërsa eurodeputetët i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të heqë pengesat për të gjithë rajonin.
“Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të tyre të pranimit deri në fund të vitit 2026 dhe 2027. BE duhet t’i inkurajojë këto vende kur ambicia e tyre përputhet me reforma të prekshme. Duhet hequr çdo pengesë që ekziston nga ana e Bashkimit Evropian”, thuhet në raport.
Po ashtu, bëhet me dije se eurodeputetët kërkuan të hapen sa më shpejtë negociatat për Ukrainën dhe Moldavinë, me argumentin se “çdo anëtar të ri, fuqia politike dhe ekonomike e Evropës është rritur”.
Bëhet me dije se në kuadër të përpjekjeve të zgjerimit të shpejtë dhe forcimit të angazhimit me Ballkanin Perëndimor, Parlamenti Evropian ka vendosur të hapë një zyrë për rajonin në Shqipëri. Kjo lëvizje vjen në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike, dhe do të shërbejë si një pikë kyçe kontakti mes Parlamentit Evropian dhe partnerëve në Ballkanin Perëndimor./ZËRI