Bota

LUFTA fut botën në krizë për naftë- si po veprojnë shtetet

Irani ka dhënë një mesazh të qartë së fundmi: nëse ne nuk mund të shesim naftën, as ju nuk do të mundeni!

F.I
LUFTA fut botën në krizë për naftë- si po veprojnë
FOTO ILUSTRUESE

Konflikti SHBA-Izrael ndaj Iranit aktual ka krijuar pasiguri për furnizimin me naftë, gjë që ka çuar në rritjen e çmimeve të naftës në tregun global. Kjo rritje prek jo vetëm vendet e përfshira në konflikt, por edhe shumë shtete të tjera që varen nga importi i naftës. Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës u rrit me rreth 20% nga 2.94 dollarë në 3.58 dollarë për galon. Të paktën 85 vende regjistruan një rritje të çmimeve të benzinës pas sulmeve të 28 shkurtit.

Irani ka dhënë një mesazh të qartë së fundmi: nëse ne nuk mund të shesim naftën, as ju nuk do të mundeni!

"Ne do të përcaktojmë fundin e luftës", tha zëdhënësi i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit, duke shtuar se Irani nuk do të lejojë që "një litër naftë" të largohet nga rajoni nëse sulmet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vazhdojnë. Por çfarë masash po ndërmarrin vendet?

Sa i përket vendeve të Europës, Shqipëria rezulton vendi me karburantin më të shtrenjtë kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve. Në vendin tonë Në pikat kryesore nafta po tregtohet me 198 lekë litri, duke u shtrenjtuar me 25 lekë që prej 4 marsit kur u rrit për herë të parë, rreth 5 ditë pasi nisi lufta në Lindjen e Mesme.

Për të menaxhuar situatën qeveria shqiptare ka vendosur të ngrejë një Task-Forcë për kontrollin e sektorit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë në mënyrë që të mos lejohen rritjet abuzive të çmimit, si dhe do të monitorohen edhe marzhet e fitimit të kompanive për të garantuar që me çmimet nuk abuzohet. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se ende nuk ka nevojë për krijimin e një Bordi Transparence.

Greqia po ashtu ka njoftuar se ka ndërmarrë masa emergjente për të frenuar rritjen e çmimeve dhe fenomenet e fitimeve të pajustifikuara, në kushtet e tensioneve ndërkombëtare dhe krizës në Lindjen e Mesme. Masa kryesore është vendosja e një tavani mbi marzhin e fitimit për karburantet, ushqimet dhe mallrat bazë të konsumit. Në sektorin e karburanteve, marzhi i fitimit në tregtinë me shumicë nuk do të mund të kalojë 5 cent për litër, ndërsa për pikat e shitjes me pakicë kufiri vendoset 12 cent për litër. Masat do të jenë në fuqi për një periudhë tre mujore.

Edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni foli sot për pasojat ekonomike të krizës, veçanërisht për rritjen e çmimeve të energjisë dhe karburanteve. Ajo paralajmëroi masa kundër spekulimeve dhe tha se qeveria është gati të ndërhyjë edhe me taksa më të larta ndaj kompanive që përfitojnë nga situata. Nëse rritja e çmimeve bëhet e qëndrueshme, mund të aktivizohet edhe mekanizmi i “akcizave të lëvizshme” për të ulur barrën për qytetarët.

Në Evropë, ministrat e financave të G7 mbajtën një takim urgjent për të diskutuar rritjen e çmimeve të energjisë, me Presidentin Francez Emmanuel Macron që madje ngriti mundësinë e lirimit të 20% deri në 30% të rezervave strategjike të naftës për të lehtësuar presionin mbi konsumatorët.

Në përgjigje të krizës, disa vende të Azisë Lindore kanë marrë masa emergjente për të stabilizuar tregjet e energjisë. Më 8 mars, Japonia u kërkoi objekteve të magazinimit të naftës të përgatiteshin për një lirim të mundshëm të rezervave strategjike. Të nesërmen, Koreja e Jugut vendosi një kufizim çmimesh për benzinën dhe naftën për herë të parë në 30 vjet.

Bangladesh, qeveria urdhëroi mbylljen e menjëhershme të të gjitha universiteteve publike dhe private për të kursyer energji. Në Pakistan, zyrat qeveritare tani do të funksionojnë katër ditë në javë, ndërsa shkollat ​​janë mbyllur dhe është në fuqi një politikë pune prej 50% në distancë për të ulur konsumin e karburantit.

Gjermania do të lirojë një pjesë të rezervave të saj të naftës, ndërsa kostot globale të energjisë rriten ndjeshëm si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, tha të mërkurën Ministrja e Ekonomisë dhe Energjisë Katherina Reiche. Kjo duhet të ndihmojë në uljen e çmimit global të naftës, tha Reiche, duke vënë në dukje se anëtarët e tjerë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) po përballen gjithashtu me rritjen e çmimeve.

Spanja, ndryshe nga vendet e tjera të Europës është në një pozicion të mirë për t'i bërë ballë këtyre tronditjeve falë investimeve të tij në energjinë e rinovueshme. Si rezultat, çmimi i energjisë elektrike në Spanjë ndikohet shumë më pak nga kostoja gjithnjë e luhatshme e gazit, e cila u rrit me 55 për qind një ditë pas fillimit të luftës në Iran dhe ka vazhduar të rritet.

Pothuajse 2 milionë shtëpi dhe biznese në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që ende përdorin naftë për ngrohje po përballen tashmë me një rritje të madhe të kostove si rezultat i krizës në Lindjen e Mesme. Kancelarja Rachel Reeves deklaroi se ishte “e gatshme të mbështeste një lirim të koordinuar” të rezervave emergjente të naftës që mbahen nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve u ka thënë furnizuesve se duhet t'i trajtojnë klientët në mënyrë të drejtë

Ndërkohë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton lehtësimin e sanksioneve të naftës ndaj Rusisë dhe lirimin e rezervave të naftës bruto si pjesë e një pakete opsionesh që synojnë frenimin e rritjes së çmimeve globale të naftës për shkak të konfliktit me Iranin, sipas burimeve të shumta.  Trump deklaroi se lufta në Lindjen e Mesme mund të përfundojë së shpejti, duke lehtësuar shqetësimet për ndërprerje të zgjatura të furnizimeve me naftë.

Poll

MOS HUMB