Bota

“Nuk mund t’i mbys as hallet me alkool”, Meloni: Më ftoni pas humbjes së zgjedhjeve dhe prisni të jem në humor?

Meloni tha se nuk i pëlqen të jetë në pozitat e kryeministres, e megjithatë mund të jetë një nga krerët e qeverive më jetëgjata në detyrë

E.K
“Nuk mund t’i mbys as hallet me alkool”, Meloni: Më ftoni
Giorgia Meloni

ITALI- Humbja e zgjedhjeve në Sardenjë, duket se nuk është kapërdirë lehtë nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, megjithëse nuk e ka kursyer humorin gjatë një konference me gazetarët e huaj që mbajti në Romë.

“Më ftoni ditën që humbas zgjedhjet në Sardenjë, po bëj edhe Kreshmën dhe as hallet nuk mund t’i mbyt në alkool. Kështu që nuk është dita më e mirë për të pritur simpati dhe lumturi nga unë”, u shpreh me humor Meloni që në nisje të takimit të saj me gazetarët e huaj. Meloni tha se Italisë i duhet stabilitet dhe koha është ajo që iu ka munguar qeverive italiane.

 “Koha është ajo që u ka munguar qeverive italiane: Këtij kombi i duhet stabilitet, për të dhënë përparësi investimeve, për të pasur një strategji, për të qeverisur fuqitë ekonomike. Demokracia shpërblehet, nuk ka rrezik autoritarizmi. Me reformën e kryeministrisë, ajo që do të doja të bëja është që qytetarët të zgjedhin partinë që dëshironin për të qeverisur”, tha Meloni.

 “Unë e konsideroj veten një person të respektueshëm dhe të mirë dhe e di që nuk duhet të nënvlerësojmë kurrë ligësinë e mundshme të një njeriu të mirë që është i detyruar të jetë i keq”, shtoi kryeministrja në darkën e korrespondentëve të shtypit të huaj, duke shpjeguar se gjërat që e zemërojnë atë më së shumti janë “pabesia, poshtërimi dhe humbja e rastësishme”. “Më ndodh shpesh, le të themi se ky vit nuk ka nisur shumë mirë”, deklaroi kryeministrja.

“Unë jam një gazetar si ju”, vazhdoi Meloni, “por mbi të gjitha jam një person që dy të tretat e ekzistencës i ka kushtuar angazhimit politik, të cilin e konsideroj si formën më të jashtëzakonshme të angazhimit civil. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë të mbërrija në Palazzo Chigi. Nuk më pëlqen të jem atje dhe mund të qëndroj më gjatë se të tjerët pikërisht për këtë arsye. Një nga bashkëpunëtorët e mi thotë se motoja ime është ‘do të vdesim të gjithë’: Nuk jam optimiste, e shoh gjithmonë gotën gjysmë bosh, por duke parë gjithmonë skenarin më të keq të mundshëm, unë jam në gjendje t’i trajtoj të gjithë skenarët.”

“Gjëja që dua më shumë pas vajzës sime është Italia”, tha Meloni, ndërsa shtoi “zemërohem kur Italia nuk respektohet. Si patriote kam vuajtur nga një Itali e përbuzur, e konsideruar joserioze dhe e pabesueshme. I vura vetes synimin për të rivendosur besueshmëria për këtë komb, për të përmbysur një histori që Italisë nuk mund t’i besosh”./ZËRI 

ZERI POLL

Ku do t'i kaloni pushimet për këtë verë?

  • Në Shqipëri
  • Do udhëtoj jashtë vendit
  • Jam i/e pavendosur
  • Nuk do të bëj fare pushime

MOS HUMB