
KOSOVË-Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vushtri, ku u vra me armë zjarri 19-vjeçar, Ardit Zymeri. Autori Bleon Dibrani, një bashkëmoshatar i viktimës, ka pranuar në polici se e kreu ai krimin e rëndë. Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë bërë xhelozia për një vajzë. Konflikti mes dy adoleshentëve ka degraduar deri në përdorimin e armëve, duke shkaktuar edhe një viktimë.
Ndërkohë xhaxhai i të ndjerit, Nysret Zymeri, ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion të qartë për ngjarjen. Ai ka theksuar për Ekonomia Online se familja nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje me ndonjë person dhe nuk ka djeni se si ka ndodhur kjo tragjedi. Zymeri ka thënë se nuk kanë pasur asnjë konflikt dhe se kjo ngjarje ka ardhur si një befasi për ta.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 23 marsit rreth orës 20:35 në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, ku viktima është qëlluar për vdekje nga Bleon Dibrani, po ashtu 19-vjeç. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja si prova materiale. Prokuroria dhe policia po mbledhin prova të tjera për hetimin e rastit./ZËRI