
MAQEDONIA E VERIUT-Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin, ku një qiramarrës ka qëlluar për vdekje me armë zjarri mbi pronarin e shtëpisë ku banonte, si dhe ka plagosur edhe djalin e mitur të pronarit. Më pas në dëshpërim dhe panik, autori është mbyllur në një nga dhomat, duke mos lejuar afrimin e policisë. Më pas ka vrarë edhe veten.
I mituri është dërguar në Qendrën Klinike “Nëna Tereza”. Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se rasti është paraqitur në orën 9 dhe se R.C. dhe M.N. nga lëndimet e marra kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Si kryes i mundshëm ceket M.N.
“Sot (24.03.2025) rreth orës 09:00 në SPB Shkup ka pasur denoncim se në f.Vollkovë, Shkup, ka pasur të shtëna nga armë zjarri, me ç’rast janë lënduar disa persona. Nëpunës policorë dolën në vendi e ngjarjes dhe u konstatua se R.C. dhe M.N., nga plagët e marra ndërruan jetë në vendin e ngjarjes. Mjeku nga Ndihma e shpejtë mjekësore konstatoi vdekjen. Lëndime ka pësuar edhe një i mitur, i cili ishte dërguar në Kompleksin e klinikave ‘Nëna Terezë për ofrim të ndihmës. Si kryes i mundshëm i ngjarjes ceket M.N.. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, informojnë nga MPB.
Drejtoresha e TOARMIQU, prof.dr. Maria Sërceva Jovamovski konfirmoi se në Klinikë është një pacient nga incidenti në Vollkovë dhe se për momentin po bëhen hetime.
“Para rreth dhjetë minutave është pranuar një pacient i cili është lënduar nga arma e zjarrit. Për momentin ai po kontrollohet. Në përgjithësi gjendja e përgjithshme e tij është relativisht stabile. Pacienti, pas hetimit me siguri do ta vazhdojë mjekimin në Klinikën për Kirurgji Plastike”, deklaroi Sërceva Jovanovski./ZËRI