Bota

‘Mund të shfarosemi’, serbët protestojnë për ndalimin e dinarit

Në demonstratë morën pjesë edhe liderët e Listës Serbe.

D.XH
‘Mund të shfarosemi’, serbët protestojnë për
Protesta e serbeve

VERIU I MITROVICËS – Mediat në gjuhën serbe në Kosovë raportojnë se në veriun e Mitrovicës kanë nisur protestat, për shkak të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të ndaluar dinarin në Kosovë. Portali në gjuhën serbe Kossev shkruan se heqja e dinarit për serbët, do të thotë shanse për zhdukje të tyre nga vatrat.

Të shtunën, ishte lajmëruar për protestë të serbëve, për çështjen e ndalimit të dinarit. Kossev shkruan se në Mitrovicën e Veriut janë mbledhur serbët, kryesisht ata që punojnë në institucione paralele, duke kërkuar kthimin e dinarit, si monedhë në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Mediat në gjuhën serbe duket se kanë shfaqur tendenca në numrin e protestuesve, duke u shprehur se demonstruesit janë me mijëra.

Protestuesit kanë mbajtur flamuj të Serbisë, si dhe pankarta të ndryshme, ku shkruhej “Pensionin e kam marrë gjithë jetën, nuk ma merr dot Kurti”, Europë, hapi sytë”, “Ky është një okupim”, “UN 1244 USA HELP” etj. Në protestë kanë marrë pjesë edhe liderët e Listës Serbe. Pikërisht Lista Serbe kishte bërë thirrje për mbajtjen e demonstratës.

Në emër të pensionistëve serbë foli Dushanka Qoroviç. Ajo tha se vendimi për të hequr dinarin nga Kosova ndalon jo vetëm bukën e gojës për serbët, por se po “ndërpritet edhe jeta”. “Vendimi për të hequr dinarin, për të na pamundësuar tërheqjen e pensioneve të merituara, do të thotë se po merret buka e gojës, po na ndërpritet jeta”, tha në emër të pensionistëve, Dushanka Qoroviç. Ajo shtoi se pensionistët serbë nuk hapin dot llogari bankare në Kosovë, pasi autoritetet e Prishtinës nuk pranojnë fondin pensional serb.

Në protestë foli edhe nënkryetari i Listës Serbe, Dragisha Milloviç. Ai foli në emër të punëtorëve shëndetësorë. “Ky vendim drejtpërdrejtë shënjestron popullin tonë serb dhe kërcënon mbijetesën dhe qëndrimin e tyre, nëse mbetet në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zhbërjen e institucioneve serbe në këto zona”, tha Milloviç. Ai shtoi se ndërkombëtarët duhet të reagojnë për vendimin e ndalimit të dinarit, që sipas tij, është absurd.

“Serbia ka të drejtë të financojë qytetarët e saj, për të cilën është rënë dakord me marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013 dhe 2015, dhe aty thuhet se financohen shkollat, kopshtet, spitalet, pushtetet lokale, të cilat në fakt janë themelet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, për fat të keq, ai asociacion që është dashur të formohet 11 vjet më parë, shohim se Prishtina ende nuk dëshiron ta formojë, dhe Brukseli, që është garantuesi i zbatimit, hesht”, theksoi Milloviç.

Në emër të mësuesve dhe të punonjësve në arsim, Vesna Martinoviç deklaroi se vendimi i marrë nga Prishtina, nënkupton që t’ju vihet çelësi të gjitha shkollave serbe.

Çfarë po kërkohet nga ne? Të dëgjojmë, të respektojmë çdo vendim që merr Prishtina? Të shikojmë në vendkalimet administrative për të marrë pagat? A është e mundur kjo?.Thonë se ju duhet të hapni një llogari dhe unë po pyes se në bazë të cilave kontrata, të cilat do të janë të pranueshme për bankat që operojnë në sistemin e Kosovës. Të gjithë e dimë shumë mirë që është e pamundur”, tha ajo.

BQK saktëson se për të hapur një llogari bankare në një nga bankat e Kosovës, nevojiten disa dokumente dhe më kryesoret janë: një dokument identifikues [letërnjoftim apo pasaportë], një faturë komunale jo më e vjetër se tre muaj dhe një dëshmi për adresën se ku jetoni, që mund të jetë certifikata e vendbanimit apo një faturë komunale, në të cilën gjendet edhe adresa./ZËRI/

Poll

MOS HUMB