
SPANJË- Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez tha se ai do të vazhdojë të jetë në detyrë, pavarësisht hetimeve që janë duke u kryer për gruan e tij, nën akuzën e korrupsionit. Sanchez ka marrë 5 ditë kohë që të mendohej, dhe sot ka bërë me dije vendimin e tij, duke qëndruar në detyrë si kryeministër.
Ai tha sot për mediat se “Kam vendosur të vazhdoj me më shumë forcë nëse është e mundur”.
Kryeministri spanjoll theksoi se vlerësonte reagimet sociale, duke shtuar se; “Unë dhe bashkëshortja ime e dimë që kjo fushatë shpifjeje nuk do të ndalet, ne e vuajmë prej 10 vitesh. Por mund ta përballojmë”.
Në pushtet që nga viti 2018, lideri socialist 52-vjeçar të mërkurën e kaluar pezulloi të gjitha aktivitetet e tij publike pasi një gjykatë e Madridit njoftoi hapjen e këtij hetimi paraprak për “korrupsion” dhe “ndikim të padrejtë” ndaj bashkëshortes së tij.
Sanchez ka këmbëngulur se akuzat janë një fushatë ngacmimi e orkestruar nga mediat e krahut të djathtë.
Akuzat kundër gruas së Sanchez, Begoña Gómez u ngritën kundër saj nga organizata Manos Limpias (Duart e Pastra), e udhëhequr nga një njeri i lidhur me të djathtën ekstreme të quajtur Miguel Bernad.
Megjithatë, të enjten, prokurori publik i Madridit bëri thirrje që hetimi të mbyllej për mungesë provash dhe Manos Limpias gjithashtu pranoi se akuzat mund të ishin të rreme sepse ato bazoheshin në histori të gazetave në internet – njëra prej të cilave tashmë është dëshmuar të jetë e rreme.
/ZËRI