
MALI I ZI- Kryetar i Komitetit për Politikën e Jashtme i Bundestagut dhe ish-ministër për Evropën i Gjermanisë, Michael Roth ka deklaruar se është shqetësues fakti që disa politikanë malazez kanë lidhje të ngushta me presidentin Aleksandër Vuçiç. Roth në një intervistë për mediumin malazez 'Pobjeda', ka thënë se Vuçiç e ka dëshmuar që është një partner jo i besueshëm për rajonin. Sipas kryetarit të Komunitetit për Politikën e Jashtme, aleancat e tilla minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi.
“Është shqetësuese kur politikanë malazezë janë në lidhje ngushta me një lider që ka dëshmuar të jetë një partner jo i besueshëm për BE-në dhe rajonin. Aleanca të tilla mund të minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi. Udhëheqësit e vendit duhet të kenë prioritet angazhimin e tyre ndaj vlerave dhe parimeve demokratike të BE-së për të qëndruar në rrugën e duhur. Vendi tani ka një shans real për të kapërcyer ndarjet, qofshin ato etnike, fetare apo politike, në një përpjekje të përbashkët për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian – ky shans është unik dhe i ndjeshëm ndaj kohës dhe nuk duhet të minohet”,-u shpreh Roth.
Roth ka theksuar se BE-ja dhe Qeveria e Malit të Zi duhet të punojnë së bashku për ta bërë Malin e Zi një vend që do të shërbejë si model për integrimin evropian.
“Fatkeqësisht, procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor shumë shpesh u pengua nga forcat populiste dhe nacionaliste, si brenda BE-së ashtu edhe jashtë saj. Pranimi në BE nuk është vetëm çështje e qeverisë aktuale. Është një projekt që përfshin të gjithë shoqërinë që ka nevojë për mbështetje nga i gjithë spektri partiak, biznesi, shoqëria civile dhe mbarë vendi. E mirëpres progresin që ka arritur Mali i Zi dhe mirëpres punën e qeverisë aktuale në këtë drejtim”, shtoi ai.
Duke folur për rolin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi ,ai ka thënë se është dakord me vlerësimin e Parlamentit Evropian se Kisha Ortodokse Serbe vepron si një kanal i ndikimit rus dhe se paraqet një kërcënim për integrimin evropian të Malit të Zi./ZËRI