
TURQI-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditën e djeshme në ditëlindjen e shkrimtarit të njohur shqiptar Sami Frashërit, në shenjë nderimi ka vendosur lule pranë varrit të tij në Stamboll. Zyra e kryeministrit ka njoftuar se vizitën e tij te varri i rilindasit e realizoi në datën e lindjes së tij, më 1 qershor. Kurti theksoi se shkrimtari ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe se nuk ka fjalë të mjaftueshme për të përshkruar figurën e tij.
Dje, në ditëlindjen e Samiut, vizituam varrin e tij në Stamboll dhe vendosëm lule të freskëta, për ta kujtuar e nderuar atë. Para kësaj, në Ankara qëndruam në Qendrën Kulturore Shqiptare atje e cila përveçse mban emrin e tij, e nderon çdo ditë trashëgiminë e tij duke qenë vend që i bën bashkë shqiptarët e ku flitet e mësohet gjuha shqipe, ashtu siç na mësonte Samiu gjuhën përmes kombit, e kombin përmes gjuhës. Një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij. Shembull për kombin, shembull për mërgatën dhe frymëzim për çdokënd. Ideolog i shquar dhe dijetar i ndritur. Atdhetar, rilindas e mendimtar përparimtar. Nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me fjalë e të ketë aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij",- shkruan Kurti.



Kurti tha se në takimet që ka realizuar me politikanë në Ankara, ka dhënë përpjekje për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis Turqisë dhe Kosovës, duke theksuar se synojnë investime ekonomike për rritjen e punësimit./ZËRI