
SHBA- Në mediat serbe, mbledhja e Këshillit të Sigurimit për tensionet Serbi-Kosovë për dinarin, nuk ka vazhduar transmetimi drejtpërdrejt kur fjalën e ka marrë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në televizionin shtetëror të Serbisë (RTS) transmetimi është ndërprerë sapo fjalën e ka kryeministri Kurti. Transmetimi është ndërprerë edhe nga disa media tjera serbe. Këshilltari i zëvendëskryeministrit, Klisman Kadiu, ka reaguar, duke thënë se Aleksandër Vuçiç është në panik e frikë të madhe përballë Republikës së Kosovës. Ndërsa, situatën me transmetimin e ka përshkruar si censurë, njofton RTK.
“Në Serbi transmetimi është ndërprerë me fillimin e fjalimit të kryeministrit Kurti. Aq shumë për lirinë e medias dhe informacionin në Serbi. Censura. Fatkeqësisht, serbët atje nuk janë në gjendje të dëgjojnë për realitetin dhe të vërtetat. Vuçiç është në panik dhe frikë të madhe, përballë Republikës së Kosovës, një shtet progresiv dhe demokratik," shkruan Kadiu.
Në seancën e djeshme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është diskutuar në lidhje me çështjen e dinarit në Kosovë. Kjo seancë u zhvillua pas kërkesës së Serbisë pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës ku hodhën akuza ndaj Kurtit se vendimi për heqjen e dinarit serb po ndëshkon popullatën serbe në Kosovë teksa Vuçiç listoi grupimet e popullatës serbe në Kosovë që preken nga ky vendim./ZËRI