
SHBA- Sulmet e Izraeli në Gaza po vijojnë dhe për presidentin e SHBA-së kjo është e eksagjeruar. Biden u shpreh se Izraeli e ka “tepruar” në fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës dhe shtoi se është duke punuar me këmbëngulësi për t’i shtyrë Izraelin dhe Hamasin të pajtohen për nja armëpushim afatgjatë.
“Unë jam i mendimit, siç e dini, se Izraeli e ka tepruar në përgjigjen e tij në Rripin e Gazës”, tha Biden për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
Në kuadër të këtij qëndrimi, administrata e Biden lëshoi një memorandum të sigurisë kombëtare që kërkon nga qeveritë e huaja të garantojnë se nuk do të shkelin të drejtat e njeriut me armët e blera nga SHBA-të. Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Hamasin organizatë terroriste. Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorë është detyruar të zhvendoset në kufi me Egjiptin si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit.
Ndërkohë Hamasi parashtroi një plan të detajuar trefazor për t'u shpalosur gjatë katër muajve e gjysmë, duke iu përgjigjur një propozimi të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti. Plani parashikonte që të gjithë pengjet do të liroheshin në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli, duke përfshirë militantë të lartë, dhe një fund të luftës./ZËRI