
KOSOVË-Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot është zhvilluar një aksion në Uglarë të Zubin Potokut, ku edhe janë konfiskuar disa armë. Sveçla ka thënë se personi që është gjetur me armët është arrestuar dhe se tashmë prokuroria ka nisur hetimet. Sipas ministrit Sveçla, “s’do të ketë asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupacioneve që cënojnë sigurinë e vendit dhe qytetarëve të Kosovës”. Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka publikuar edhe fotografinë e të dyshuarit.
“Vijon suksesshëm angazhimi ynë në çrrënjosjen e krimit dhe largimin e mbetjeve kriminale të Serbisë në vendin tonë. Armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike janë zbuluar sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potokut. Personit të cilit i janë gjetur këto armë e pajisje është arrestuar dhe është proceduar në Prokurori. Asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupacioneve që cënojnë sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Sveçla është zotuar se institucionet do të punojnë në mbrojtje të interesave shtetërore, siguri për qytetarët, sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të shtetit.