
STRASBURG- Parlamenti Europian është përfshirë në një debat të nxehtë rreth marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë, që është përshkruar nga kritikët si “absurde” dhe “çnjerëzore”. Vendimi për të riatdhesuar 16 emigrantë nga Italia drejt Shqipërisë, përmes një marrëveshjeje të firmosur nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu shqiptar Edi Rama, ka ngjallur reagime të ashpra nga disa grupe politike në Strasburg.
Marrëveshja është kritikuar gjerësisht nga liberalët, socialistët dhe grupet e majta, të cilët theksojnë se politika e azilit dhe riatdhesimit në Shqipëri bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Iratxe Garcia Perez, presidente e grupit S&D në Parlamentin Europian, e cilësoi marrëveshjen si një përpjekje për të deleguar politikat e azilit dhe për të shmangur përgjegjësitë e BE-së.
Nga ana tjetër, Partia Popullore Evropiane dhe të djathtët konservatorë kanë shprehur mbështetje për këtë model, duke e parë si një mënyrë efektive për të menaxhuar fluksin e emigrantëve jashtë kufijve të BE-së.
Ndërsa disa eurodeputetë e shohin këtë model si një zgjidhje për problemet e emigracionit, të tjerët paralajmërojnë se ai përforcon konceptin e “Evropës së Kalasë”, duke e kthyer BE-në në një hapësirë gjithnjë e më të mbyllur dhe të kufizuar për azilkërkuesit.
Valerie Hayer nga grupi liberal Renew kritikoi kostot financiare të qëndrimit të emigrantëve në Shqipëri dhe u shpreh se “12 emigrantë në Shqipëri i kushtojnë italianëve 65 milionë euro.” Sipas saj, modeli është një humbje e fondeve publike dhe dobëson sovranitetin kombëtar.
Grupi The Left ka shprehur kritika të ashpra ndaj marrëveshjes dhe politikave të ngjashme të mbështetura nga Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian. Manon Aubry, eurodeputete franceze, theksoi se këto masa i japin fuqi të djathtës ekstreme dhe favorizojnë politika gjithnjë e më kufizuese ndaj emigrantëve.
Në këtë klimë të tensionuar, disa grupe të djathta në Parlamentin Europian arritën në një debat mbi “Modelin e Shqipërisë” në seancën e 22 tetorit, duke e thelluar ndarjen e shumicës politike që udhëheq BE-në.
Çështja mbetet një pikë e rëndësishme për politikën e azilit në BE, ndërsa liberalët dhe socialistët bëjnë thirrje për një strategji më të unifikuar dhe të përgjegjshme, duke i kërkuar Partisë Popullore të BE-së të distancohet nga lojërat e të djathtës ekstreme.
Ky debat vjen në një moment kritik për BE-në, ndërsa ajo përpiqet të gjejë një balancë mes sigurisë kufitare dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut për emigrantët dhe azilkërkuesit./ ZËRI