
KOLUMBI- Bosi i mafies italiane Gustavo Nocella është arrestuar sot në Medellin të Kolumbisë. I njohur në botën e krimit si “Ermes”, 58-vjeçari nga Napoli u arrestua mëngjesin e sotëm në banesën e tij në lagjen El Poblado.
Bosi i mafies italiane, Gustavo Nocella, u arrestua në Medellin pas hetimeve gjashtëmujore të Policisë. Arrestimi i Nocella-s vjen pas një hetimi të njohur si Operacioni Minerva, i kryer nga Policia Kombëtare Kolumbiane, Policia italiane, Mbretëria e Bashkuar dhe Europol.
Ai dyshohet se ka koordinuar trafikun e kokainës nga Kolumbia në Holandë, ku dërgesat shpërndaheshin në të gjithë Evropën.
Sipas Policisë, Nocella është i lidhur me klanet mafioze italiane të Rinaldi-Formicola, Amato-Pagano dhe De Micco, të gjithë me qendër në Napoli.
Ai ishte subjekt i një “njoftimi të kuq” të Interpolit , të lëshuar nga agjencia kundër drogës në Napoli, dhe akuzohej për komplot kriminal dhe trafik droge. Pas hetimeve, autoritetet konstatuan se bosi i mafies italiane fshihej në Medellin të Kolumbisë./ ZËRI