KOSOVË- Një grua shtatzënë, 25 vjeçe, u vra më 24 gusht në Malishevë. Për vrasjen dyshohet bashkëshorti i saj. Gati katër vjet më parë, një tjetër grua shtatzënë u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Edhe për vrasjen e saj dyshohej bashkëshorti.
Vrasja e 35-vjeçares, në nëntor të vitit 2022, nxiti protesta dhe vuri nën presion institucionet për të ndryshuar mënyrën se si i trajtojnë dhe parandalojnë rastet e dhunës ndaj grave.
Në vitet që pasuan, u ndryshuan ligje, u shkurtuan afatet për hetimin dhe gjykimin e rasteve të dhunës në familje dhe u investuan 600 mijë euro në një sistem elektronik për mbikëqyrjen e personave ndaj të cilëve gjykatat vendosin masa të tilla.
Por, vrasja e 24 gushtit ngre pyetjen: sa kanë ndryshuar këto masa sigurinë e grave në praktikë?
Të dhënat e Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se në katër vjetët e fundit janë vrarë 11 gra - tri prej të cilave deri më tash këtë vit.
Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve janë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Organizatat që merren me të drejtat e grave thonë se problemi nuk është më vetëm mungesa e ligjeve, por mënyra se si ato zbatohen: sa monitorohen rastet e raportuara, sa respektohen urdhrat mbrojtës, sa shpejt reagojnë institucionet dhe çfarë ndodh kur sistemi dështon.
Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se institucionet nuk po i monitorojnë mjaftueshëm rastet e raportuara të dhunës në familje.
Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, shkon edhe më tej - sipas saj, vrasjet e grave duhet të trajtohen si urgjencë kombëtare.
Edhe vetë vlerësimi më i fundit i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave pranon se, krahas progresit, vazhdojnë probleme në sistem.
Raporti i publikuar në vitin 2026 evidenton, mes tjerash, mospërputhje në të dhënat mes institucioneve, dallime në qasjen në shërbime nga një komunë në tjetrën dhe ritme të ndryshme të zbatimit të masave nga drejtësia, shërbimet sociale dhe shëndetësia.
Një nga mekanizmat që duhej ta rriste sigurinë e grave ishte mbikëqyrja elektronike.
Në prill të vitit 2023, disa muaj pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së, Qeveria e Kosovës ndau 600 mijë euro për projektin “Sistemi i monitorimit elektronik”.
Vendimi zyrtar përcaktonte se paratë do të përdoreshin për financimin e projektit gjatë atij viti.
Sistemi, megjithatë, nuk u lansua publikisht deri më 10 dhjetor të vitit 2024 - rreth 20 muaj pas ndarjes së mjeteve.
Gjatë lansimit, kryeministri Albin Kurti tha se hallkat elektronike do të vendoseshin në dorën ose këmbën e personit të dyshuar apo të dënuar për dhunë.
Sistemi ishte menduar edhe si një mekanizëm për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Në rast se personi nën mbikëqyrje i afrohet viktimës në kundërshtim me urdhrin mbrojtës, sistemi duhet ta alarmojë policinë në nivel lokal dhe qendror, duke mundësuar reagimin e saj.
Por, të dhënat e deritanishme tregojnë përdorim të kufizuar të këtij mekanizmi.
Në një dokument të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se, deri në prill të vitit 2025, gjykatat kishin nxjerrë vetëm tetë aktvendime për monitorim elektronik, të cilat po zbatoheshin nga Policia e Kosovës.
Nuk dihet se sa prej tyre lidheshin me dhunën në familje.
Po ashtu, nuk dihet se sa persona janë aktualisht nën mbikëqyrje elektronike.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se sistemin e mbikëqyrjes elektronike të urdhrave mbrojtës e zbaton që nga dhjetori i vitit 2024 dhe se ai është funksional në të gjitha drejtoritë rajonale të policisë.
Sipas saj, personat, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, pajisen me byzylykë elektronikë, ndërsa sistemi përfshin edhe gjurmues GPS që vendosen te palët në procedurë.
Policia tha se ka sasi të mjaftueshme të byzylykëve dhe gjurmuesve GPS për të mundësuar monitorimin e rasteve në kohë reale.
Megjithatë, nuk tregoi se sa persona janë nën mbikëqyrje elektronike dhe as sa prej rasteve të monitoruara lidhen me dhunën në familje.
Rezniqi thotë se mungesa e këtyre të dhënave e vështirëson edhe vlerësimin nëse mekanizmi po e përmbush qëllimin për të cilin është krijuar.
Por, sipas saj, as vendosja e hallkës elektronike nuk është e mjaftueshme nëse pas alarmit nuk pason reagimi i shpejtë institucional.
“Nuk mjafton vetëm byzylyku - në këto raste është e nevojshme të ketë reagim të menjëhershëm të policisë, në mënyrë që të shmanget çdo lloj rreziku për viktimën”, thotë Rezniqi për Radion Evropa e Lirë.
Mbikëqyrja elektronike nuk ishte ndryshimi i vetëm.
Në nëntor të vitit 2023, Kosova ndryshoi Kodin e Procedurës Penale për t’u dhënë përparësi rasteve të dhunës në familje dhe dhunimit.
Me ndryshimet, hetimet për këto vepra duhet të përfundojnë brenda një viti nga fillimi i tyre. Në raste të ndërlikuara, afati mund të zgjatet edhe për gjashtë muaj.
Ligji vendosi për herë të parë edhe afate të posaçme për gjykimin: 60 ditë kur çështja shqyrtohet nga një gjyqtar i vetëm dhe 90 ditë kur shqyrtohet nga një trup gjykues.
Këto afate janë më të shkurtra se ato të përgjithshmet që parashiheshin më parë, pasi synimi ishte që rastet e dhunës në familje të mos zvarriteshin në sistemin e drejtësisë.
Por, për Rezniqin, shkurtimi i afateve nuk e zgjidh problemin kryesor.
Ajo thotë se rastet e dhunës në familje zakonisht trajtohen brenda një afati relativisht optimal dhe se sfida më e madhe mbetet mënyra se si institucionet reagojnë ndaj rrezikut dhe si i zbatojnë mekanizmat që tashmë i kanë në dispozicion.
Ajo shton se llogaridhënia duhet të shtrihet edhe te mënyra se si drejtësia i trajton autorët e vrasjeve të grave.
“Kemi parë raste kur autorët e vrasjes së grave janë dënuar me burgim të përjetshëm në shkallë të parë. Disa prej këtyre vendimeve janë konfirmuar edhe në instanca më të larta, ndërsa në raste të tjera vendimet janë kthyer në rigjykim ose janë ndryshuar. Prandaj, është e nevojshme të ketë konsistencë në trajtimin e këtyre rasteve”, thotë Rezniqi.
Demolli e sheh një tjetër boshllëk: mungesën e një mekanizmi shtetëror që do të analizonte çdo vrasje të një gruaje për të përcaktuar nëse dhe ku ka dështuar sistemi.
Sipas saj, një analizë e tillë është veçanërisht e rëndësishme në rastet kur viktima ka raportuar më herët dhunë apo ka kërkuar mbrojtje nga institucionet.
“Shumica e grave të vrara kanë kërkuar më herët ndihmë nga institucionet, prandaj duhet të ketë llogaridhënie kur një grua që ka kërkuar mbrojtje, përfundon e vrarë. Të përcaktohet ku po dështon sistemi: policia, prokuroria, gjykatat, shëndetësia apo institucionet e tjera”, thotë Demolli.
Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me së paku dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
I dyshuari për vrasjen në Malishevë është duke u trajtuar në spital për shkak të plagëve që, sipas raportimeve, dyshohet se ia ka shkaktuar vetes me armë zjarri.
Vrasja u dënua nga përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shtetit.
“Shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre”, tha, mes tjerash, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Por, pesha e këtij konstatimi matet edhe me atë që ndodh pasi reagimet publike të heshtin./REL