Bota

Akuzohet për spiunazh me Serbinë, Prokuroria merr të pandehur analistin Fatmir Sheholli! Zbulohet plani “Top Secret” në telefonin e tij

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se është rekrutuar nga BIA dhe se gjatë bashkëpunimit me zyrtarë të këtij shërbimi ka mbledhur informacione dhe dokumente që lidhen me institucionet e Kosovës, zhvillimet politike dhe situatën e sigurisë.

M.K.
Akuzohet për spiunazh me Serbinë, Prokuroria merr të pandehur
Fatmir Sheholli

KOSOVË- Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj analistit Fatmir Sheholli, duke e akuzuar për spiunazh në favor të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe për shantazh.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se është rekrutuar nga BIA dhe se gjatë bashkëpunimit me zyrtarë të këtij shërbimi ka mbledhur informacione dhe dokumente që lidhen me institucionet e Kosovës, zhvillimet politike dhe situatën e sigurisë.

Prokuroria pretendon se këto të dhëna u janë përcjellë zyrtarëve të shërbimit sekret serb përmes komunikimeve telefonike.

Në dosjen e Prokurorisë përmendet edhe një dokument i klasifikuar “Top Secret”, i cili, sipas pretendimeve të organit të akuzës, është gjetur në telefonin e Shehollit. Dokumenti dyshohet se përmban një plan që lidhet me rikthimin e Kosovës nën kontrollin e Serbisë.

Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli përballet edhe me akuzën për shantazh. Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa analisti ndodhet në paraburgim.

Tashmë pritet që gjykata të shqyrtojë provat dhe pretendimet e Prokurorisë. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, akuzat ndaj Shehollit mbeten pretendime të organit të akuzës.

Ndërkohë detaje të reja nga dosja prej rreth 80 faqesh e Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë publikuara nga mediat në Kosovës hedhin dritë mbi dyshimet për përfshirjen e Fatmir Shehollit në një plan të BIA-s serbe për të ndikuar në zgjedhjet lokale të vitit 2025.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se më 26 shtator 2025 ka marrë në Mitrovicën e Veriut materiale audio, transkripte bisedash dhe shumën prej 5 mijë eurosh, të cilat më pas ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro.

Prokuroria pretendon se materialet do të përdoreshin për komprometimin e zyrtarëve të Kosovës dhe ndikimin në procesin zgjedhor.

“I cili pastaj në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-së, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1,000.00 euro, duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij “Pa Rrotlla”, dhe atë vetëm disa ditë para ditës së votimit për zgjedhjet lokale, çka përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli, ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”, thuhet në dosje./ZËRI

Poll

MOS HUMB