Bota

Lufta tregtare SHBA- Kanada! Trump ashpërson tonet pas përshkallëzimit të konfliktit, propozon riemërimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”

Të hënën, Trump deklaroi se do t'i rrisë tarifat mbi importet kanadeze për makinat, kamionët si dhe pjesët e automjeteve me vlerë afro 20 miliardë dollarë nga 25% në 50%, duke filluar nga 1 janari i vitit 2027.

l.k
Lufta tregtare SHBA- Kanada! Trump ashpërson tonet pas
Foto ilustruese

SHBA- Presidenti i SHBA-ve Donald Trump duket se do e ashpërsojë më tej luftën tregtare me Kanadanë, pas dështimit të negociatave tregtare midis dy vendeve.

Përmes një postimi në rrjetin social “Truth”, Trump ka njoftuar se ka për qëllim për të ndryshuar emrin e Liqenit Ontario në Liqen Amerika. Sipas tij, Uashingtoni nuk pret më negociata tregtare me provincën kanadeze të Ontarios.

“Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë seriozisht ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në Liqeni Amerika, duke pasur parasysh se nuk presim më të kemi shumë marrëdhënie biznesi me Ontarion. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! President DONALD J. TRUMP.”- shkruan ai në postim.

Pas kësaj, presidenti i SHBA-ve publikoi edhe një foto të një harte ku shfaqej ndryshimi i propozuar i emrit.

Çfarë po ndodh mes SHBA-ve dhe Kanadasë?

Të hënën, Trump deklaroi se do t'i rrisë tarifat mbi importet kanadeze për makinat, kamionët si dhe pjesët e automjeteve me vlerë afro 20 miliardë dollarë nga 25% në 50%, duke filluar nga 1 janari i vitit 2027.

Kjo vjen pasi bisedimet tregtare SHBA-Kanada dështuan në fund të javës së kaluar, ku secila palë akuzoi tjetrën për kërkesa të paarsyeshme të dala në minut të fundit.

"SHBA-ja do të jetë gjithmonë shumë më e madhe, më e pasur dhe më e fortë se Kanadaja. Dikush duhet t'i bëjë këta palaço të 'binden', përndryshe pasojat për Kanadanë do të jenë shumë më të rënda!", shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Shtëpia e Bardhë deklaron se po përdor nenin 338 të Aktit të Tarifave të vitit 1930 për të protestuar kundër politikave tregtare "diskriminuese" të Kanadasë, përfshirë ndalimin provincial të alkoolit amerikan – një ndalim që u zbatua vetëm si reagim ndaj tarifave të vendosura vitin e kaluar mbi mallrat kanadeze.

Kryeministri i Kanadasë Mark Carney ka premtuar se qeveria e tij do të përgjigjet "dollar për dollar" kundër Uashingtonit, pasi rreth 5% e eksporteve drejt SHBA-së u vunë në shënjestër nga Shtëpia e Bardhë. Nga ana tjetër, ai tha se do të merren masa hakmarrëse tarifore, të cilat ka paralajmëruar se do të hyjnë në fuqi më 8 shtator.

Masat hakmarrëse kanadeze do të përfshijnë importe me vlerë 27,6 miliardë dollarë kanadezë (14,6 miliardë paund) dhe synojnë industri kyçe, përfshirë çelikun, produktet e qumështit, pajisjet shtëpiake, makineritë bujqësore, si dhe matreialet e drurit dhe letrës.

Provinca e Ontarios, një nga zonat më të populluara të Kandasë është njëkoësisht dhe një nga qendrat kryesore të industrisë së automobilave në Amerikën e Veriut, ku kompani gjigante si Ford, General Motors, Honda, Stellantis dhe Toyota kanë linjat e tyre të montimit të automjeteve.

Politico shkruan se tarifat përbëjnë një kërcënim shumë më të madh ekonomik, duke shtuar pasigurinë për bizneset amerikane dhe veçanërisht për industrinë e automjeteve në Amerikën e Veriut./ZËRI

Poll

MOS HUMB