
VATIKAN- Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut mbetet kritike. Këtë e kanë konfirmuar edhe me një deklaratë të re mjekët e spitalit "Gemelli" në Romë. Sipas tyre, Papa u diagnostikua me pneumoni e dyfishtë. Po sipas deklaratës, Papa ka kaluar një natë të qetë në spitalin Gemelli, ku ndodhet që prej të premtes dhe ka ngrënë mëngjesin normalisht.
Por, testet, rrezet X dhe gjendja klinike e Papës vazhduan të paraqesin "një pamje komplekse".
Megjithë kritikën e situatës së tij, drejtori i zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni tha se Papa Françesku është në "shpirt të mirë" dhe është mirënjohës për lutjet për shëndetin e tij.
Çfarë është pneumonia e dyfishtë?
Pneumonia e dyfishtë është një infeksion respirator që prek të dy mushkëritë, duke inflamuar alveolat dhe duke e vështirësuar frymëmarrjen. Mund të shkaktohet nga bakteret, më i zakonshmi është Streptococcus pneumoniae, si dhe nga viruset ose, në një masë më të vogël, kërpudhat. Simptomat më karakteristike përfshijnë kollën me gëlbazë, ethe, të dridhura dhe vështirësi në frymëmarrje.
Grupe të caktuara të popullsisë janë në rrezik më të lartë të zhvillimit të pneumonisë dypalëshe, si të rriturit mbi 65 vjeç , fëmijët nën dy vjeç, duhanpirësit dhe ata me sëmundje kronike si diabeti, astma ose sëmundjet e zemrës. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet se trajtimi i pneumonisë dypalëshe ndryshon në varësi të origjinës së saj. Në rastet bakteriale, administrohen antibiotikë, ndërsa rastet virale zakonisht trajtohen me masa të tjera.
Infeksionet fungale, edhe pse më pak të shpeshta kërkojnë agjentë të veçantë antifungale.
Papa Françesku është përballur me sëmundje dhe operacione të ndryshme, si dhe me probleme të lëvizshmërisë që nga viti 2021, duke bërë që shqetësimi i katolikëve të rritet çdo vit. Në mars 2023, ai u shtrua në spital për bronkit dhe në dhjetor ai anuloi udhëtimin e tij në COP28 për arsye mjekësore./ZËRI