KOSOVË- Pas tre ditësh, Kosova mund të shkojë në zgjedhjet e treta të parakohshme, nëse Lëvizja VetëVendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit. Në këtë mënyrë, vendi do t’i hynte ciklit të katërt zgjedhor në më pak se dy vjet. Zgjedhjet e fundit të rregullta janë mbajtur më 9 shkurt 2025, kur përfundoi mandati i Qeverisë Kurti 2.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në vendimin e saj të fundit, cakton 6 tetorin si ditën e fundit kur duhet të përfundojë procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, aty ka sqaruar edhe rrugën se si shkohet në zgjedhje të reja në rast të dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri.
Gjykata thekson se, nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, atëherë shpërndarja e Kuvendit bëhet automatikisht, në bazë të Kushtetutës, dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve.
Por situata mbetet e paqartë se kush do të merret me teknikalitetet, siç janë konsultimet me partitë dhe shpallja e datës për zgjedhjet, në një situatë kur mandati i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që aktualisht e mban Albulena Haxhiu, përfundon pas dy ditësh. Vetë Haxhiu ka paralajmëruar mundësinë që t’i drejtohet përsëri Gjykatës Kushtetuese për sqarime.
Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, dje kanë mbajtur takimin e radhës për të diskutuar rreth hapave që duhet të ndiqen në 48 orët e fundit. Në lojë janë dy pozicione.
PDK-ja është duke kërkuar votimin e ligjit për Specialen si hap të parë, ndërsa, siç kanë raportuar mediat në Kosovë, Kurti ka vënë kusht që fillimisht të miratohet ligji në lexim të parë, pastaj të kalohet te zgjedhja e Presidentit. Por Hamza e ka refuzuar këtë.
“Kërkojmë aprovimin final të ligjit, pastaj PDK-ja është e gatshme të gjejë zgjidhje për presidentin dhe të japë votat”, ka thënë ai.
Me aq sa dihet, PDK-ja nuk është duke kërkuar një kandidat të saj për President. Kurti nuk ka dalë para gazetarëve, ndërsa as Qeveria dhe as LVV nuk kanë dhënë ndonjë njoftim rreth përmbajtjes së takimit.
Ndërkohë, më 2 tetor, qeveria theksoi se e ka dërguar në Kuvend projektligjin për Specialen, të formuluar nga juristët e PDK-së. Por, ndonëse Kurti është pajtuar me ndryshimin e ligjit për Specialen, mungesa e fleksibilitetit për hapat që duhet të ndiqen për miratimin e tij, si dhe vështirësitë për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit të shkurtër, mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.