
IZRAEL- Armëpushimi në Gaza ka hyrë në ditën e katërt dhe të fundit, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se operacionet izraelite do të rifillonin me fuqi të plotë pas përfundimit të pauzës humanitare.
“Po diskutohet mundësia e lirimit çdo ditë shtesë 10 pengje të tjera, por unë i thashë presidentit amerikan Joe Biden se në fund të armëpushimit ne do të kthehemi operacioneve me fuqi të plotë, deri në përmbushjen e qëllimeve tonë; eliminimi i Hamasit dhe sigurisht lirimi i të gjitha pengjeve”, tha Netanyahu.
Gjatë 72 orëve, Hamasi ka liruar një total prej 58 pengjesh, kryesisht gra dhe fëmijë, në këmbim të 117 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite. 13 izraelit, 3 tajlandezë dhe një person me nënshtetësi ruse u transferuan me sukses nga Gaza drejt izraelit ditën e diel.