
TIRANË- Sekretari amerikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt. Lajmin e bërë me dije sot zyrtarisht Departamenti Amerikan i Shtetit. Në njoftimin e bërë nga DASH bëhet me dije se Blinken do të vizitojë Shqipërinë më datë 16 të këtij muaji.
"Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt. Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës,"-shkruhet në njoftimin e DASH.

Lajmi për mbërritjen e tij u bë me dije pak ditë më parë nga gazetari Muhamet Veliu, por nuk u konfirmua nga Ambasada Amerikane në Shqipëri. Deri më tani sipas "TopChannel", Blinken do të takojë vetëm Kryeministrin Edi Rama, kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Altin Dumani dhe stafin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Ndërkohë, Blinken pritet të vizitojë për herë të parë Tiranë, i shoqëruar nga ish-Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim. Kjo e fundit pas largimit nga Shqipëria mori detyrën e Zëvendës Asistentes të Sekretarit Blinken për Europën dhe Euro Azinë, detyrë që e lidh ehde me Shqipërinë.
Sekretari amerikan i shtetit vjen në Shqipëri, 3 vite pasi shpalli me firmën e tij "non grata" një nga personat më të rëndësishëm në politikën shqiptare, ish-kryeministrin dhe ish-presidentin e vendit, Sali Berisha. Departamenti Amerikan i Shtetit sanksionoi familjen Berisha, me pretendimin se ish-kryeministri kishte kryer korrupsion dhe kishte minuar demokracinë. Nga ai moment, Berisha hodhi në gjyq Blinken në një gjykatë në Francë, por ende procesi mes tyre nuk ka nisur. Ndër vite, Berisha i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që të publikohen fakte.
Ardhja e Antony Blinken në vendin tonë do të shënojë vizitën e katërt të një sekretari shteti në Shqipëri. Kjo është vizita e katër e një sekretari amerikan në vendin tonë. Vizita e parë e një sekretari ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991, që u pasua nga ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, ndërsa i fundit ishte John Kerry, më 14 shkurt 2016. Përveç Shqipërisë, në Gjermani, Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut, ku do të diskutojë për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe sigurinë transatlantike./ZËRI