
TIRANË –Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin nga seanca plenare të deputetëve të Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Petrit Doda. Për Palokën u vendos përashtimi nga Kuvendi për 40 ditë, ndërsa për Dodën për 20 ditë. Kjo është hera e parë që Sekretariati i Etikës jep vendim për përjashtim kaq të gjatë në kohë. Kjo vjen, pasi parlamenti miratoi në dhjetor 2023 rregulloren e re, sipas të cilës, deputetët mund të përjashtohen deri në 60 ditë.
Vendimi erdhi pasi Partia Socialiste kërkoi përjashtimin nga parlamenti të dy deputetëve demokratë, Edi Paloka dhe Petrit Doda. Paloka dhe Doda ishin pjesë e grupimit të deputetëve, që kanë shkaktuar kaos një ditë më parë.
Veprimi i Palokës shkaktoi më shumë bujë, teksa dogji rregulloren e parlamentit. Ndërsa, deputeti tjetër opozitar Petrit Doda shkaktoi rrëmujë në Kuvend. Doda u pa një moment, teksa shkoi pranë karriges ku qëndronte Enkelejd Alibeaj. Ai i kërkoi “llogari” Alibeajt, se përse qëndron pranë Bashës dhe nuk afrohet pranë Foltores.
Edhe gjatë ditës së djeshme, parlamenti u mbajt në kushte të jashtëzakonshme. Opozita sërish protestoi në forma të ndryshme. Maxhoranca arriti që të kalojë projekt-ligjet që ishin parashikuar në rend dite.
Ndërsa, u vendos që të hiqej nga rendi i ditës vetëm ligji për bastet online, i cili u shty, me kërkesë të grupit parlamentar të PS-së./ZËRI/