U la jashtë seancës në Kuvend, Bardhi: Nuk e përjashtojmë futjen në grevë urie

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur pas seancës së sotme në Kuvend, ku vetë ai nuk ishte i pranishëm, për shkak të përjashtimit me 10 ditë nga Komisioni i Etikës. Bardhi e cilësoi të paligjshëm përjashtimin e tyre, ndërkohë që i bëri thirrje kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla që të rishikojë pozicionin e saj.
“Pavarësisht se me një urdhër të paligjshëm deputetët e opozitës nuk u lejuan në sallë, edhe pse nuk kanë kryer asnjë shkelje të rregullores si një tentativë për të formalizuar përjashtimin de facto të opozitës.
Grupi i PD vijoi aksionin për t’i shpjeguar shqiptarëve që ky nuk është kuvend normal, sa kohë opozitës i mohohen të drejtat nuk mund të ketë një falsitet në Kuvend sa kohë shkelet rregullorja dhe Kushtetuese. Apeloj mazhorancën, Nikollën që të rishohë pozicionin e saj së pari sa i përket kërkesave të opozitës dhe të heqë dorën nga masat që tentojnë të shtypin opozitën, përmes përjashtimit të deputetëve”, tha Bardhi.
Ai nuk përjashton as grevën e urisë, apo ngujimin, një tezë kjo që përflitet prej muajsh brenda radhëve të opozitës, por që ende nuk është realizuar.
“Kemi diskutuar në mbledhjen e grupit opsionet e mundshme të aksionit. Secili ka shprehu gatishmërinë për të shkuar më tej me përsshkallëzimin, përfshirë ngujimin apo grevën e urisë”, u shpreh më tej Bardhi.
Seanca e sotme plenare u mbyll pas rreth 20 minutash, ndërkohë që deputetët e Rithemelimit qëndruan në oborr, ku hodhën vezë në drejtim të makinës së ministrit të Brendshëm Taulant Balla, si dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj. /ZËRI
Kuvendi/ PS shtyn votimin për kthimin e basteve online, rrëzohen amendamentet e Bashës

TIRANË- Vetëm 20 minuta ta zgjatur sot seanca plenare. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla edhe pse mes kaosit të shkaktuar nga opozita, lexoi një për një të gjithë projektligjet dhe amendamentet e propozuara. Në momentin kur erdhi radha e propozimit të bërë nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për t’i dhënë 50 milionë dollarë ndihmë Kosovës, maxhoranca nxorri kartonat e kuq. Si pasojë, Basha dhe deputetët mbështetës të tij, u larguan menjëherë nga salla.
Nga rendi i ditës u hoq gjithashtu edhe projektligji për lojërat e fatit më kërkesë të vetë Partisë Demokratike. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 155/2045 për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar” do të diskutohej këtë të enjte në Kuvend, por kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi miratimin e kërkesës së mazhorancës për shtyrjen e diskutimeve./ZËRI
Mbyllet Kuvendi, Noka i pret përjashtë, gjuan me vezë mjetin e Ballës dhe Gjoncajt

TIRANË- Flamur Noka duket se ka shkuar në Kuvendin e Shqipërisë me "xhepat" plot me vezë, të cilat i ka përdorur për mjetet e socialistëve. Më konkretisht për ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjoncaj. I pari që ka rënë "pre" ka qenë Balla, i cili nuk është mbrojtur dot nga eksorta e tij.
Më pas, radha ishte e sekretarit të Kuvendit.
Megjithatë nuk kishte asnjë dëm, përveç ndotjes së mjeteve./ZËRI
"Je i paburrë"/ Noka sulmon Bashën: Tradhëtar, mercenar!
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetët e opozitës që e mbështesin atë lanë sallën e Kuvendit, pas rrëzimit nga maxhoranca të amendamentit për t’i dhënë 50 milionë dollarë ndihmë Kosovës. Menjëherë pasi amendamenti, Basha doli nga salla, u përball me akuzat e Flamur Nokës, i cili së bashku me deputetët e tjerë të përjashtuar qëndronin jashtë parlamentit.
“Je i paburrë. Tradhtar, i pabesë, mercenar i paburrë,”- ishin fjalët me të cilat Noka iu drejtua Bashës.
VIDEO NGA MOMENTI:
Por, ky i fundit nuk iu kundërpërgjigj por u largua me qetësi./ZËRI
Edi Paloka hedh rregulloren e djegur në drejtim të ministrave, ‘trembet’ Belinda Balluku

TIRANË- Tensione të shumta në seancën e sotme në Kuvend, ku deputeti Dash Sula ka hedhur tufa letrash në drejtim të numrit dy të qeverisë Belinda Balluku, ndërsa deputeti Edi Paloka i ka vënë flakën rregullores së Kuvendit. Kjo e fundit siç shihet dhe në pamjet e siguruara nga gazetari i ZËRIT, Edon Kuqi, shfaqet duke u ngritur nga karrigia e saj, dhe reagon e trembur, pasi rregullorja ishte ende në flakë. Në seancën e sotme mungonte kryeministri Edi Rama, ndërkohë që deputetët socialistë kishin marrë urdhër që të ishin me çdo kusht në sallë.
Seanca e sotme plenare u mbyll pas rreth 20 minutash, ndërkohë që deputetët e Rithemelimit qëndruan në oborr, ku hodhën vezë në drejtim të makinës së ministrit të Brendshëm Taulant Balla, si dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj. /ZËRI
Kaos në Kuvend, Basha largohet nga salla, opozita e fërshëllen

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është larguar nga salla sapo maxhoranca rrëzoi amendamendin e tij. Basha kërkoi që nga buxheti të kalonin 50 mln euro si ndihmë ushtarake për Kosovën, por kërkesa e tij u rrëzua me shumicë votash. Menjëherë pas kësaj Lulzim Basha u largua së bashku me deputetët e tjerë. Por ky moment nuk i shpëtoi kolegëve të tij demokratë, të cilët e shoqëruan me fërshëllima.
MOMENTI ME VIDEO:
Megjithatë, Basha doli i qetë nga salla pa i kthyer përgjigje askujt./ZËRI
"Do ta tërheqim zvarrë", Paloka kërcënon nga Kuvendi Ramën, djeg rregulloren

TIRANË- Ka nisur mes tensioneve seanca e sotme plenare, ku Edi Paloka ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama se do ta presë i njëjti fat me diktatorin Enver Hoxha. Më pas ai dogji rregulloren e Kuvendit, ndërsa një mesazh e kishte dhe për Lulzim Bashën, i cili ishte pjesë e seancës së sotme.
Pjesë nga fjala e Palokës:
Doja ti kujtoja diçka atij të parit, në 20 Shkurt të vitit 91 unë kam qenë në grevë urie, pasdite erdhën qytetarët që sollën kokën e tërhequr zvarrë të diktatorit, ne dolëm nga greva, dhe doja të bëja një fotografi. Por nuk arrita sepse njerëzit kishin përmjerrë mbi të, ky që mendon se është i fortë, që ka arrestuar Sali Berishën, unë jam i sigurt që dhe ai era shurrë do të vijë. Ka marrë ca kukulla që i udhëron Taulant Ballad he se kur duhet që të vijnë në Kuvend. Diktatorët një fund kanë, lëreni që ta mbulojë shurra shefin tuaj, nuk ka parlament këtu derisa të vendoset normaliteti, hajdenu në orën 8 kur të doni ju, por parlament harrojeni që do të keni.
Seanca e sotme plenare u mbyll pas rreth 20 minutash, ndërkohë që deputetët e Rithemelimit qëndruan në oborr, ku hodhën vezë në drejtim të makinës së ministrit të Brendshëm Taulant Balla, si dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj.
/ZËRI
VD/ Flamur Noka shtron viza të bardha në shkallët e Kuvendit

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, ka shtruar vija të bardha me miell në shkallët e Kuvendit të Shqipërisë, duke simbolizuar atë që ai quajti me parë narkoregjimin që është instaluar në vend.
“Garda ka marrë fytyrën e regjimit”, u shpreh ai ndërsa gardistët ndaluan hyrjen e disa deputetëve, që janë penalizuar nga Komisioni i Etikës.
“Ne këtu përfaqësojmë popullin opozitar, na mohuan të drejtat kushtetuese, le të thotë dikush çfarë rrugë na ka mbetur. Ne jemi ata që nuk duan narkoregjim, që duan të zbatohet kushtetuta. Ky është simboli i këtij narkoregjimi”, u shpreh Noka.
Deputeti Dash Sula shkon në Kuvend 'i mbuluar' në euro e dollarë

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka zgjedhur të shkojë në Kuvend me një veshje të veçantë, ku kishte stampuar dollar dhe euro. Sipas tij Rama dhe qeveria e tij me miratimin e projektligjit për legalizimin e basteve online kërkojnë të gjejnë një mënyrë të re për të pastruar para.
“Para disa vitesh Rama tha do i japim fund marrëzisë, sot ka nisur cmenduria për mazhorancës. Përfundoi pastrimi i parave me kullat e ndërtuara. Krimi dhe trafiqet e kokainës të investoheshin në Ndërtim. Tani pastrimi do bëhet me bastet”, tha Sula i cili gjithashtu deklaroi se biznesi, krimi i organizuar dhe politika janë bërë njësh duke goditur rëndë ekonominë dhe rendin demokratik të vendit./ Zëri
Flamur Noka sulmon me miell edhe sekretarin e Kuvendit, Genc Gjonçaj

TIRANË- Deputeti Flamur Noka ka hedhur miell në drejtim të punonjësve të Gardës si dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj. Rreth 20 deputetë të opozitës janë lënë jashtë sallës së Kuvendit, për shkak të akteve të dhunës që kanë bërë në seancat e kaluara. Mësohet se shkak për irritimin e situatës është bërë fakti që Gjonçaj e ka quajtur revoltën e deputetëve të opozitës, si skenën e radhës në teatër.
Pas këtij veprimi, Noka u shpreh se opozita nuk është në parlament për të qenë fasadë e Kryeministrit Edi Rama.
Flamur Noka: Në narko-parlamentin e këtij regjimi ka dy rrugë. Shihni përfaqësuesit, kë përfaqësojmë ne? Popullin opozitar. Kush e nisi këtë padrejtësi? Ne na mohuan fjalën. Ata tentuan që të zhbëjnë opozitën. Po për ca jemi zgjedhur ne? Ti bëjmë fasadë Ramës? Ne jemi për të përfaqësuar opozitën, ata që duan lirinë./ZËRI
Braçe shkon në Kuvend, thumbon Dogjanin: Na duhet vota juaj

TIRANË- Një e nga një deputetët socialistë kanë hyrë në sallën e Kuvendit, ndërkohë që në një moment Erion Braçe ka thumbuar Asllan Dogjanin se i duhet vota e tyre. Ajo që Braçe ka ‘harruar’ është fakti se Dogjani është përjashtuar me 20 ditë nga seancat plenare. Megjithatë, edhe pse të përjashtuar pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës kanë shkuar sot në Kuvend, ndërkohë bqë pritet të ketë përplasje me punonjësit e Gardës që janë rreshtuar në derën kryesore të Kuvendit.
Lulzim Basha dhe deputetët e tij shkojnë 60 minuta para në Kuvend

TIRANË- Lulzim Basha dhe rrethi i ngushtë i deputetëve pranë tij, kanë mbërritur rreth 1 orë para në sallën e Kuvendit, për të shmangur tensionet që me gjasë do të krijohen nga deputetët e grupimit Berisha–Bardhi. Nëse në shumicën e seancave, Basha dhe deputetët e tij kanë zgjedhur që të mos jenë të pranishëm, gjatë kësaj të enjte ata kanë mbërritur në Kuvend.
Nuk dihet nëse prania e tyre lidhet me futjen në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar të aministisë në burgje. Gjatë ditës së djeshme, grupi i Bashës dhe socialistët arritën një dakordësi në parim për amnistinë, por në rendin e ditës, që është publikuar në faqen e Kuvendit, kjo pikë nuk ishte pjesë e projektligjeve që do të miratoheshin.
Tensionet në seancën e sotme janë të pritshme, edhe për shkak të numrit të madh të deputetëve të PD-dë që janë përjashtuar nga seancat plenare.
“Etika” morri dje vendimin që deputetët Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka të përjashtohen nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 20 ditë. Ndërkohë për deputetin Gazment Bardhi masa disiplinore ishte 10 ditë. Në total numri i deputetëve të përjashtuar llogaritet që të jetë 19, çka e bën të vështirë edhe punën për pjesën tjetër të deputetëve që do të tentojnë bllokimin e seancës plenare./ZËRI
20 deputetë të përjashtuar/ Çfarë pritet të ndodhë në seancën e sotme në Kuvend

TIRANË- Prej afro 4 muajsh seancat plenare në Kuvend janë shënuar nga momente tensioni, të cilat pritet që të përsëiten edhe këtë të enjte të datës 8 Shkurt. Në seancën e sotme janë në rendin e ditës një sërë vendimesh të rëndësishme për t’u kaluar, siç është vendimi i qeverisë për rikthimin e basteve sportive, apo marrëveshja me Italinë, për ta shndërruar Shqipërinë në një kamp për emigrantët. Po ashtu në rendin e ditës është dhe ligji për dekoratat, drafti i të cilit u kthye nga presidenti Begaj për rishikim pasi qeveria synonte që t’i hiqte atij të drejtën e dhënies së dekoratave.
Po ashtu do të kalojë ligji për tenderët. Qeveria ka vendosur të ristrukturojë dhënien e tenderëve duke krijuar një agjenci të posaçme që merret me to. Nga ana tjetër mbetet pezull amnistia në burgje, edhe pse gjatë ditës së djeshme pati një dakordësi në parim mes socialistëve dhe grupit të deputetëve të Lulzim Bashës. Këta të fundit kërkuan miratimin e një amandamenti, që përfshin në amnisti të gjithë protestuesit e PD-së, gjatë kohës kur këto protesta udhëhiqeshin nga Lulzim Basha. Për kalimin e amnistisë duhen 84 vota, dhe për këtë duhet një dakordësi me bazë të gjerë në Kuvend.
Nga ana tjetër tensionet në seancën e sotme janë të pritshme, edhe për shkak të numrit të madh të deputetëve të PD-dë që janë përjashtuar nga seancat plenare.
“Etika” morri dje vendimin që deputetët Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka të përjashtohen nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 20 ditë. Ndërkohë për deputetin Gazment Bardhi masa disiplinore ishte 10 ditë. Në total numri i deputetëve të përjashtuar llogaritet që të jetë 19, çka e bën të vështirë edhe punën për pjesën tjetër të deputetëve që do të tentojnë bllokimin e seancës plenare.
Me rregulloren e re të Kuvendit, që socialistët e miratuan në mënyrë të njëanshme, janë rritur masat e pezullimit për deputetët. Mirëpo gjatë ditës së djeshme Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim ankimimin e deputetëve të opozitës, dhe pritet që ky institucion të thojë fjalën e fundit, nëse janë të lejueshme përjashtimet me 2 muaj të deputetëve.
/ZËRI