‘Po bëhet teatër’, Alibeaj për bllokimin e mbledhjes së Komisonit për Zgjedhoren: S’e duan reformën

TIRANË- Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat, pas bllokimit të mbledhjes nga deputetët që mbështesin Berishën, ka akuzuar këta të fundit se po bëjnë teatër, bashkë me qeverinë.
Sipas Alibeajt, as deputetët e Berishës dhe as qeveria nuk dëshiron që të ketë një reformë zgjedhore, mbi ato pika që kërkon Partia Demokratike.
“U kërkoj ndjesë përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, që me shumë dëshirë erdhën për të marrë pjesë. Dua ta bëj të qartë që në fillim. Ajo që ndodhi sot, nuk është gjë tjetër veçse teatri i radhës nga një palë që nuk e do reformën zgjedhore. Një palë që e ka shndërruar mbledhjen në matje muskujsh.
Pala e maxhorancës ka treguar se është e prirur të shndërrohet në atë teatër të shëmtuar dhe se nuk e do një reformë të tillë. I vendos një perde dhe mur të madh publikut. Nuk ka asnjë lloj dyshimi për askënd. Arsyeja reale pse dy palët nuk e duan është sepse nuk duan propozimet tona që janë në interes të publikut, listat e hapura, votimi dhe numërimi elektronik, vota e diasporës dhe Shqipëria një zonë elektorale. Të dyja palët që zhvillojnë këtë teatër nuk duan ta pranojnë. Qëndrimi i PD ka qenë i qartë për Zgjedhoren që në ditën e parë”, tha Alibeaj.
Reforma Zgjedhore sërish ka mbetur në udhëkryq. Edhe sot nuk ka pasur një mbledhje të Komisonit për Zgjedhoren. Opozita ka bërë të pamundur zhvillimin e kësaj mbledhjeje, ndërsa pas kaosit, që zgjati për disa minuta, u vendos që Komisioni të mos mblidhet as online, siç ka ndodhur në të kaluarën./ZËRI/
VIDEO/ Gardisti 'gangster' i Kuvendit shtyn gazetarin Ardit Hoxha

TIRANË- Një situatë e paprecedentë ka ndodhur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku gardistët kanë shtyrë gazetarin Ardit Hoxha, në mënyrë që të mos hynte në sallën e mbledhjeve. Gardisti ka shtyrë me forcë gazetarin, edhe pse prania e mediave nuk është e ndaluar në mbledhje.
Incidenti me gazetarin ndodhi teksa gardistët tentuan që të mos lejonin deputetët e Rithemelimit që të hynin në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Mbledhja ishte caktuar për të nisur në orën 12.00, por salla është bllokuar nga deputetët e opozitës.
Fillimisht, ata hasën në rezistencën e punonjësve të Gardës së Republikës, por më pas janë lejuar që të futen në sallë, duke bllokuar dëgjesën me Shoqërinë Civile. Pas tensioneve, Oerd Bylykbashi kërkoi rregulla të barabarta për t'u futur në zgjedhje, duke akuzuar edhe njëherë kryeministrin Edi Rama se kishte bërë pazar me Lulzim Bashën.
Ndërsa bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri akuzoi dy PD-të se nuk donin që ta dërgonin para Reformën, pasi edhe sot, grupi i Bashës, nuk ishte i pranishëm në sallë. Në fund të prononcimit të tij për gazetarët, lajmëroi se Komisioni do të vazhdonte punimet, por edhe sot online. /ZËRI
Bllokuan komisionin për Zgjedhoren, Bylykbashi: Ka pazar Rama-Basha

TIRANË- Deputeti i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, ka folur pas bllokimit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku sipas tij opozita kërkon vendosjen e rregullave të barabarta dhe të ndershme. Mbledhja e sotme dështoi për shkak se deputetët e Rithemelimit bllokuan sallën, duke mos lejuar futjen e deputetëve socialist.
Pjesë nga deklarata e Bylykbashit:
“Jeni të gjithë dëshmitarë të vendimit të qartë që ka marrë Edi Rama që Komisionin e Reformës ta shkatërrojë. Të shkatërrojë çdo mundësi që parlamenti i Shqipërisë, në përputhje me rekomandimet e ODIHR, në përputhje me traditën më shumë se 20-vjeçare, të bëjë një reformë zgjedhore me konsensus.
E ka deklaruar në dhjetor se do të kërkojë numra në parlament, jo konsensus. E ka deklaruar në dhjetor që historia e konsensusit tashmë nuk vlen për të. Ai po kërkon numra, po kërkon pazar në parlament, vetëm vetëm e vetëm që të miratojë rregullat që do ai për zgjedhje, që zgjedhjet të jenë si ato të 14 Majit 2023, si ato të 2021-shit, si ato të 2017-ës, si ato të 2019-ës.
Ajo që kërkon opozita është vendosja e rregullave të ndershme dhe të barabarta, të mjaftueshme, jo të pamjaftueshme si ato të viti 2020, që të pengojnë shtetin të futet në zgjedhje; që shteti të ndahet nga partia në pushtet; që të ndalohen kriminelët të blejnë vota; që të ndëshkohen kur të blejnë vota; që të ndalohet sistemi kriminal i patronazhimit; të miratohen rregulla që bëjnë vepër penale, të qartë, kush guxon dhe ndikon mbi sekretin dhe lirinë e votës të qytetarëve, siç thotë OSBE/ODIHR, i kërcënuar, duhet të përballet me drejtësinë; të shtrëngojmë rregulla më të forta që SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm mos t’i shmangen detyrave që kanë tashmë me ligj.
Të gjitha këto Edi Rama nuk i do sepse kërkon një reformë zgjedhore që ta mbyllë me atë që ka bërë pazar, me Lulzim Bashën. Nuk mundet në Komisionin e Reformës Zgjedhore që ta përcaktojë Edi Rama se kush është opozita."
/ZËRI
Dështimi i mbledhjes për Zgjedhoren, Gjiknuri: PS është komode dhe me këtë Kod Zgjedhor

TIRANË- Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka folur pas dështimit të mbledhjes së sotme, për shkak të përplasjeve me deputetët e Rithemelimit. Gjiknuri tha se më të interesuar në çuarjen përpara të procesit të Reformës Zgjedhore do të duhet të ishin dy grupimet e opozitës. Sipas tij socialistët janë komod dhe me këtë Kod Zgjedhor që është në fuqi.
Gjiknuri: Sot e kishim të pamundur që të shpreheshin organizatat e interesuara për Reformën Zgjedhore. Pamundësia fizike na bën që të njoftojmë jë mbledhje tjetër, mendojmë se zgjidhja për ta kaluar online është ajo e duhura. Pyetjen se pse nuk vjen duhet tia drejtoni zotit Alibeaj. Asnjë prej palëve që duhet të ishin të interesuara, nuk vijnë dhe nuk e kanë seriozisht. E kam thënë dhe e them prapë që mazhoranca është komode edhe me këtë Kod Zgjedhor.
/ZËRI
Përsëritet skenari! Deputetët e Rithemelimit zaptojnë sallën e ‘Zgjedhores’ pas përplasjes me Gardën

TIRANË- Ka pasur tensione të shumta para mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore në ambientet e Kryesisë, për shkak se Garda nuk ka lejuar që të hyjnë një pjesë e deputetëve të Rithemelimit, të cilët janë të përjashtuar nga Kuvendi.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ishin thirrur për t’u dëgjuar përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Një pjesë e deputetëve të opozitës fillimisht nuk u lejuan që të hynin në sallë, njësoj si dhe një pjesë e gazetarëve, por më pas ata u lejuan, dhe në mbledhje nuk është paraqitur deri tani as PS dhe as grupimi i Bashës.
Ndër ata që u përplasen me Gardën janë deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Saimir Korreshi, Luan Boçi apo Albana Vokshi, të cilët thanë që nuk do bëjnë asgjë. Në tone të larta i thonë “Hapeni rrugën”, ndërsa deputetja Albana Vokshi i kërkon dokumentin që thotë se janë të përjashtuar.
“Janë në orët e fundit, sepse kjo tregon panik, kjo vetëm forcë nuk tregon sepse në një sistem demokratik, qeverisja demokratike forcën e ka të e vërteta dhe te ligji. Këta mundohen ta anashkalojnë ligjin, nëpërmjet Maliqit, janë në panik. Shiheni LIVE ça bën banda e pushtetit, kishte ndodh ndonjëherë në një vend demokratik që gr parlamentar i opozitës të lihej jashtë parlamentit, me qëllim që të mastruboheshin këta, si në një parlament monizëm? Shikojini sot, as ne deputetët nuk ka lejojnë as ju mediat. Duan ta bëjnë gjithçka në errësirë”, tha Flamur Noka, jashtë sallës.
Deputetët e grupit Bardhi – Berisha kërkojnë një ripërbërje të këtij komisioni, ku grupi i tyre të ketë më shumë anëtarë dhe bashkëkryetarin si forca më e madhe opozitare./ZËRI