
EKUADOR- Operacioni për kapjen e Fitos filloi në orën 5:00 të mëngjesit më 25 qershor 2025. Dielli nuk kishte lindur ende në Montecristi (Manabí) kur një patrullë ushtarake hyri në një shtëpi në Calle 10 dhe Callejón S., në sektorin e Monterrey. Oficerët me uniformë ishin në ndjekje të "Fito-s", kreut të grupit kriminal Los Choneros dhe njeriut më të kërkuar në Ekuador. Një nga oficerët që mori pjesë në atë operacion foli ekskluzivisht me median "PRIMICIAS" dhe zbuloi detajet që çuan në kapjen e bosit të drogës.
Disa muaj më parë, autoritetet po ndiqnin Cristian Germán Mendoza Vélez, pronarin e shtëpisë, një punonjës të kompanisë "Manta Mobility", i cili nuk u paraqit kurrë në punë. Hetuesit, të cilët dyshonin se ai kishte lidhje me udhëheqësin e "Los Choneros", përfundimisht zbuluan se ai ishte një nga truprojat e tij.

Kjo ishte edhe arsyeja se përse ata e kishin bastisur këtë pronë të paktën 5 herë në javët e mëparshme, por agjentët nuk gjetën asgjë.
Megjithatë, shtëpia ishte e dyshimtë; kishte mermer, një pishinë, një palestër dhe shumë detaje të tjera që ishin të pazakonta për zonën.
Me të hyrë, ushtarët gjetën katër burra, përfshirë Mendoza Vélezin. Ata ishin pjesë e sigurisë së tij. Në banesë ishte edhe një vajzë 3-vjeçare, së bashku me dy gra që kujdeseshin për të. Pasi kërkuan identifikimin e vajzës, oficerët kuptuan se ajo ishte vajza e "Fito" dhe Verónica Briones , të dashurës së tij, e cila aktualisht është në burg dhe përballet me ndjekje penale për drejtimin e një rrjeti pastrimi parash.
Vajza vazhdimisht përsëriste fjalën "baba" sikur të kërkonte dikë...
Dadot nënshkruan një dokument që i zotonte të kujdeseshin për të miturën derisa të gjendej një i afërm që do ta merrte më pas në kujdestari. Kjo ishte shenja e parë se "Fito" ishte atje. Personeli i policisë dhe ai ushtarak filluan më pas një kontroll të plotë. Ata gjetën armë dhe municione në shtëpi.
Shenja e dytë ishin ilaçet e gjetura në një tavolinë, së bashku me faturat që tregonin se ato ishin blerë së fundmi. Kishte vitamina, si dhe produkte për urthin dhe gastritin, të tilla si Diatrol, Dexopral dhe Omeprazole. Kishte gjithashtu ilaçe dhe kapsula për trajtimin e problemeve të lëkurës, të tilla si Platsul dhe Itrafung. E dhëna kryesore ishte insulina, pasi 'Fito' e përdorte vazhdimisht për të trajtuar diabetin e tij.
Një tjetër informacion që kishin oficerët ishte se Macías Villamar kujdesej për mjekrën e tij, pra të Fitos. Kështu gjetën edhe disa produkte kozmetike të specializuara në kujdesin e qimeve të fytyrës. Ishte e qartë se 'Fito' ishte atje, ose të paktën kishte qenë atje kohët e fundit.
Ata vazhduan kërkimin dhe kishin idenë se mund të kishte një tunel nëntokësor, meqenëse përballë kishte një shtëpi tjetër me karakteristika të ngjashme. Ekipet e specializuara nga Policia Kombëtare sollën më pas një skaner profesional. Qëllimi ishte të përcaktohej nëse kishte ndonjë zonë të zbrazët në muret dhe dyshemenë e shtëpisë.
U zbulua!
Pranë një oborri pas shtëpisë, kishte një hapësirë të zbrazët në anën tjetër. Por, pavarësisht se sa shumë kërkuan, efektivët nuk mundën të gjenin një mënyrë për të hyrë në atë vend. Pas disa orësh, rreth orës 17:00, oficerët kërkuan ndihmë nga Ministria e Punëve Publike. Ata sollën një lopatë mekanike dhe filluan të gërmonin thellë, duke arritur në një strukturë të ngjashme me pllakë në një thellësi prej pesë metrash. Pak pasi filloi procesi i gërmimit, 'Fito' doli vullnetarisht nga një derë sekrete në dysheme, e cila ishte e padukshme nga lart sepse hapej nga brenda. Ai ishte brenda një bunkeri që përmbante një dyshek, një kondicioner, një televizor dhe disa ushqime.
Pasi u kap, 'Fito' u rrëfeu oficerëve se kishte jetuar në atë shtëpi për 6 muaj dhe se gjatë pesë bastisjeve të tjera, kishte arritur të fshihej në bunker dhe të kalonte pa u vënë re. Ndërkohë, vitin e kaluar, që kur ishte arratisur, ai kishte jetuar në një shtëpi tjetër pranë plazhit.
Sipas burimeve policore që morën pjesë në operacion, 'Fito' kishte dhënë urdhër për truprojat e tij që në rast të një operacioni ose bastisjeje, ata të mos qëllonin sepse ai nuk donte ta vinte në rrezik jetën e vajzës së tij. Ai tha gjithashtu se shpresonte të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara sepse kishte frikë për sigurinë e tij në burgjet e Ekuadorit./ZËRI