
SHBA- Administrata Trump ka diskutuar planin që Irani të ketë në dispozicion deri në 30 miliardë dollarë për një program bërthamor civil, heqjen e disa sanksioneve që e kanë penguar atë dhe “lirimin” e fondeve të ngrira iraniane. Këto janë "ofertat" që Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e një përpjekjeje në rritje për ta rikthyer Teheranin në tryezën e negociatave. Sipas 4 burimeve të njohura me çështjen i kanë raportuar "CNN", zyrtarë “kyç” të SHBA-së dhe Lindjes së Mesme kanë zhvilluar bisedime në prapaskenë me zyrtarë iranianë.
Zyrtarët e administratës Trump thonë se janë vënë në tryezë disa propozime. Këto janë ide paraprake dhe në zhvillim e sipër, por një kusht mbetet i panegociueshëm: zero pasurim të uraniumit nga Irani, edhe pse Teherani këmbëngul se është i nevojshëm. Pavarësisht këmbënguljes së SHBA-së për këtë kusht, drafti paraprak i propozimeve i përshkruar CNN-së nga dy burime përfshin propozime mjaft joshëse për Iranin.
Disa detaje u vendosën në një takim të fshehtë dhe të gjatë midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe partnerëve nga Irani në Shtëpinë e Bardhë, një ditë para sulmeve ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit. Ndër kushtet që po diskutohen – dhe që zbulohen për herë të parë – është një investim prej 20 deri në 30 miliardë dollarësh në një program të ri bërthamor iranian pa pasurim të uraniumit, që do të përdoret për përdorim civil të energjisë. Një zyrtar i administratës Trump i tha CNN se në një skenar të tillë, paratë nuk do të vinin direkt nga Shtetet e Bashkuara.
Investimi në infrastrukturën e energjisë bërthamore të Iranit është diskutuar edhe në raundet e mëparshme të negociatave në muajt e fundit.
"Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të udhëheqin këto bisedime me Iranin. Dikush duhet të paguajë për ndërtimin e programit bërthamor, por ne nuk do të jemi të angazhuar financiarisht,"-tha zyrtari për CNN.
Stimuj të tjerë përfshijnë heqjen e disa sanksioneve kundër Iranit, por edhe heqjen e kufizimeve mbi 6 miliardë dollarë fonde të ngrira të mbajtura në llogari bankare të huaja që Teherani nuk mund t'i përdorë. Një ide tjetër e diskutuar javën e kaluar dhe aktualisht në shqyrtim është që aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik të financojnë një zëvendësim për objektin bërthamor Fordow - i cili u godit nga bombat amerikane fundjavën e kaluar - si pjesë e programit të ri të mos-pasurimit.
"Shumë ide po hidhen nga njerëz të ndryshëm, dhe shumë po përpiqen të tregojnë se janë krijues", tha për CNN një nga burimet e tij me njohuri për diskutimet.
Witkoff i tha CNBC të mërkurën se SHBA-të po kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, ndërsa një zyrtar i administratës Trump theksoi se të gjitha propozimet synojnë të parandalojnë Iranin nga pajisja me një armë bërthamore. SHBA-të kanë thënë se Irani mund të ketë një program bërthamor paqësor, por nuk mund të pasurojë uranium për atë program. Në vend të kësaj, SHBA-të propozojnë që Irani të importojë uranium të pasuruar. Witkoff e krahasoi këtë version të një programi bërthamor me atë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Donald Trump tha të mërkurën se SHBA-të dhe Irani do të ulen në tryezë javën e ardhshme - megjithëse zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se nuk kishte dijeni. Por sërish sipas CNN, për negociatat nuk është caktuar asnjë datë./ZËRI