KOSOVË- Fehim Sali është arrestuar ditën e djeshme nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit. Sali, i cili punonte si mësues, ëshë ndaluar në pikën kufitare të Merdares në një operacion të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas mediave kosovare, ai punonte si mësues në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.
Dyshet se për një përiudhë të gjatë, Fehim Sali ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviç. Gjithashtu, sipas hetuesve, dyshohet se merret me ndërmjetësimin për prona, dokumente serbe dhe grumbullimin e votave për mbështetësit e Aleksandar Vuçiç.
Ndërkohë, pas arrestimit në Merdare, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ushtruan kontroll në banesën e të dyshuarit në Dragash. Gjatë kontrollit në banesë, u gjetën dhe sekuestruan 39 500 euro, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme, të cilat dyshohet se mund të shërbejnë si prova në vijimin e hetimeve.
Fehim Sali është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria Speciale pritet t'i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit brenda afatit.
Në njoftimi zyrtar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thotë se në bashkëpunim me Policinë, do të vazhdojë me marrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit./ZËRI