Bota

Thellohet më tej kriza politike në Kosovë! LDK heq dorë nga marrëveshja me Albin Kurtin, vjen reagimi i Vjosa Osmanit: Nuk duam poste dhe pushtet...

Sipas Abdixhikut, oferta e partneritetit nga partia që fitoi zgjedhjet e fundit e drejtuar nga Albin Kurti ishte pa peshë, pa ndikim dhe qeveria do të kontrollohej tërësisht nga Vetëvendosja.

l.k
Thellohet më tej kriza politike në Kosovë! LDK heq dorë nga
Albin Kurti, Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku

KOSOVË- Kreu i partisë opozitare në Kosovë, Lumir Abdxhuku ka njoftuar se partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka hequr dorë nga çdo kërkesë për postin e Presidentit, bashkëqeverisjen e mundshme me Vetëvendosjen dhe drejtimin e Kuvendit. Sipas Abdixhikut, oferta e partneritetit nga partia që fitoi zgjedhjet e fundit e drejtuar nga Albin Kurti ishte pa peshë, pa ndikim dhe qeveria do të kontrollohej tërësisht nga Vetëvendosja.

Vendimi u bë publik nga Abdixhiku, pas 3 orësh mbledhje të Grupit Parlamentar të LDK-së, duke thelluar më tej krizën institucionale dhe politike në Kosovë.

"Për LDK kapërcimi i kësaj gjendje kërkon maturi politike, respektim të rëndit kushtetuese, përgjegjësi si LDK, nuk është të ushqejmë krizën, por të ofrojmë daljen prej krizës. Kemi kontaktuar edhe dje me çdo parti politike, jo për shkak nevojës për pushtet, por për shkak të përgjegjësisë ndaj vendit.  VV’së ja kemi njohur të drejtën për të udhëhequr me qeverinë dhe kuvendin, në përputhje me rezultatin, për LDK kemi propozuar përgjegjësinë e institucionet së presidentit së bashku me një rol në ekzekutiv, kështu në pikëpamjen tonë do të kishim edhe stabilitet institucional, qeveri të qëndrueshme me shumë vota, dhe promovim të vlerave demokratike. Fatkeqësisht përgjigja e VV’së nuk kishte ofertë partneriteti, ishte ofertë për pjesëmarrje pa peshë, për përgjegjësi pa ndikim, në një qeverisje që do të kontrollohej tërësisht nga njëra palë. LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale. LDK heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. Heqim dorë edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e Presidentit”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe ish-presidentja, njëkohësisht dhe prirësja e listës së LDK-së në zgjedhjet e fundit Vjosa Osmani. Ajo ka shpërndarë konferencën për shtyp të Lumir Abdixhikut, duke shkruar se LDK-ja ka qëllim të evitojë zgjedhjet e reja dhe të kontribuojë për t’i dhënë vendit një president që mbron Kushtetutën.

REAGIMI I VJOSA OSMANIT:

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kërkon asnjë pozitë e as pjesëmarrje në pushtet, me qëllim që të evitohen zgjedhjet e reja dhe t’i jepim vendit President të Republikës që mbron kushtetutën dhe vendin.

Ne nuk jemi këtu vetëm për sot. Jemi, mbi të gjitha, këtu për gjeneratat që do të vijnë pas nesh e nuk duhet të na gjykojnë për pushtetin që e morëm, por për shtetin që ua lamë”.

Kuvendi i Kosovës po përballet me një krizë politike dhe institucionale, pasi nuk ka arritur të konstituohet brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh. Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por deri tani deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. Kryeministri në detyrë dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar më shumë kohë për të arritur një marrëveshje politike mes palëve, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit, e cila shihet si një nga çështjet kryesore për zhbllokimin e situatës.

Ndërkohë, dy partitë opozitare PDK-ja dhe AAK-ja kundërshtojnë çdo vonesë dhe kërkojnë që seanca të vazhdojë, duke argumentuar se kalimi i afatit nuk e heq detyrimin për ta përfunduar konstituimin e Kuvendit. Vetëvendosje ka 53 deputetë dhe, së bashku me 10 deputetët e komuniteteve joserbe, mund të arrijë 63 vota, duke pasur mundësi të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe të formojë qeverinë. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë. Një marrëveshje me LDK-në, e cila ka 18 deputetë, do t’u siguronte mbi 80 vota dhe do ta lehtësonte zgjedhjen e presidentit, por ky opsion u rrëzua sot. Nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të përcaktuar pas konstituimit të Kuvendit, Kosova rrezikon të shkojë përsëri në zgjedhje të parakoshme, duke thelluar akoma dhe më shumë krizën politike dhe institucionale./ZËRI

Poll

MOS HUMB