
SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur që të marrë kohën e tij për të menduar mirë nëse do t'i bashkohet Izraelit në sulmet e nisura ndaj Iranit. Dhe nuk do marrë pak kohë, por plot 2 javë. Por nuk është domosdoshmërisht një shenjë dobësie kur një udhëheqës vendos të shpenzojë kohë për të menduar mirë lidhur me një çështje jete a vdekjeje. Të gjithë do të donin një zgjidhje diplomatike për krizën.
“Diplomacia me një afat specifik mund të jetë shumë efektive”, thotë për CNN Brett McGurk, një ish-zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit.
Megjithatë, historia e sjelljes së paparashikueshme të Trump ngre pyetje nëse ai do ta shfrytëzojë sa më shumë hapësirën që ka krijuar për manovrim. Gjatë drejtimit të tij, Trump shpesh i ka dhënë vetes afate dy-javore për veprim mbi çështjet e ngutshme - duke përfshirë infrastrukturën, marrëveshjet tregtare dhe sanksionet kundër Rusisë - dhe më pas nuk ka bërë asgjë. Kjo është në përputhje me strategjinë e tij karakteristike për shtyrjen e vazhdueshme të vendimeve - qoftë për kriza financiare personale, kërcënime ligjore apo vendime të vështira. Deri të enjten, të gjitha shenjat që vinin nga Shtëpia e Bardhë tregonin se Trump ishte afër urdhërimit të sulmeve ndaj objektit bërthamor nëntokësor të Iranit në Fordow - pavarësisht rrezikut që një gjë e tillë mund t'i fuste Shtetet e Bashkuara në një luftë tjetër në Lindjen e Mesme. Por, pasi shqyrtoi opsionet për sulm, ai është tërhequr për momentin.
Sindroma "TACO"
Nuk kaloi shumë kohë që mediat sociale të mbusheshin me kritikë të Trumpit, të cilët folën për sindromën TACO ("Trump gjithmonë bën sikur nuk e pranon"). Por Trump po vepron në botën reale, jo në atë online. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhte nëse SHBA-të do të bombardonin Iranin. Jeta e personelit ushtarak amerikan atje do të vihej në rrezik. Trump nuk është i vetmi president që ngurron të nisë veprime të reja ushtarake në Lindjen e Mesme, pasi hija e errët e luftës në Irak vazhdon të ndjekë politikën amerikane.
Do të bëhen krahasime me vendimin e ish-Presidentit Barack Obama për të mos bombarduar Sirinë për të zbatuar një "vijë të kuqe" për përdorimin e armëve kimike në vitin 2013, të cilin shumë analistë tani e besojnë se ishte një gabim. Obama hezitoi sepse nuk mund të ishte i sigurt se çfarë do të ndodhte të nesërmen. Ndonjëherë, vendimi i një presidenti për të mos zhvilluar luftë - kur shumë palë të interesuara bëjnë thirrje për veprim - mund të jetë po aq i guximshëm sa urdhërimi i sulmeve.
Si do t’i përdorë Trump këto dy javë?
Trump po përballet me dilemën më serioze të sigurisë kombëtare të dy presidencave të tij. Ai është zotuar se Irani, i cili ka kërcënuar ta fshijë Izraelin nga harta dhe i konsideron Shtetet e Bashkuara si "Satani i Madh", nuk do të jetë kurrë në gjendje të prodhojë një bombë bërthamore. Pra, me një pauzë dyjavore, ai mund të përfundojë pa zgjidhje tjetër përveçse të përdorë forcën ushtarake. Ky është një vendim me të cilin Trump nuk është përballur ndonjëherë si president.
Është një gjë të fillosh një luftë tregtare të martën dhe ta "çaktivizosh" atë të mërkurën. Është një gjë tjetër të dërgosh bombardues amerikanë që shkatërrojnë bunkerët! Nuk ka kthim pas! Ndaj edhe shtyrja e afatit, i blen kohë.
Presidenti e justifikoi pauzën e tij duke thënë se duhej t'i jepte diplomacisë një përpjekje të fundit. Por bisedimet e reja të mundshme midis të dërguarit të tij, Steve Witkoff, dhe zyrtarëve iranianë mund të vënë në provë.
Çfarë mund t’i mësojë JFK Trump-it?
Trump ndoshta duhet të ndryshojë qasjen e tij të palëkundur ndaj bisedimeve. Ai mund të ndjekë shembullin e një paraardhësi të shquar.
Në një fjalim në Universitetin Amerikan vetëm 5 muaj para vrasjes së tij, Presidenti John F. Kennedy reflektoi mbi mësimet që nxori nga Kriza Kubane e Raketave e vitit 1962.
"Fuqitë bërthamore duhet të pengojnë ato përballje që e detyrojnë një kundërshtar të zgjedhë midis tërheqjes poshtëruese dhe luftës bërthamore", tha Kennedy.
Situata e Trump me Iranin nuk është krejtësisht analoge, sepse Teherani ende nuk besohet se ka armë bërthamore. Por parimi është i njëjtë: që diplomacia të funksionojë, Trump do të duhet t'i ofrojë Iranit një mënyrë për të shpëtuar prestigjin e tij. Deri më tani, ai ka bërë të kundërtën, duke kërkuar "dorëzim pa kushte" në mediat sociale.
Lëvizjet e ardhshme të Iranit mund të ndikohen gjithashtu nga perceptimet e tyre për qëllimet e vërteta të Trump.
Çfarë do të bëjë Izraeli?
Një skenar i mundshëm është që Netanyahu do të përdorë dy javët e ardhshme për të shqyrtuar opsionet që Izraeli mund të ketë për të çaktivizuar Fordow dhe objekte të tjera vetë. Një nga mundësitë e pakta është një bastisje e guximshme me forca ushtarake në terren. Por ky do të ishte një rrezik i madh me shanse të pasigurta suksesi. Nuk është e qartë nëse vetë Izraeli ka aftësinë e kërkim-shpëtimit që do ta lejonte të kryente një operacion të tillë.
Arsyetimi pas vendimit të Trump
Kjo mund të sugjerojë një arsye tjetër për pauzën e Trump. Ndoshta ai shpreson që ngjarjet e dy javëve të ardhshme do ta kursejnë nga marrja e një vendimi fatal. Megjithatë, një pauzë 2-javore mund t’i japë presidentit kohë edhe për prioritete të tjera – shtyrjen përpara të asaj që mund të jetë një opsion jopopullor për veprime ushtarake në vend – dhe mobilizimin e plotë të trupave amerikane për një sulm dhe hakmarrje të mundshme iraniane.
Perspektiva e sulmeve amerikane ka shkaktuar një trazirë në mesin e bazës politike të presidentit, pasi premtimi i tij për të shmangur çdo luftë të mëtejshme në Lindjen e Mesme ka qenë gjithmonë tërheqës për një segment të madh të besnikëve të tij. Një nga kundërshtarët më të zëshëm të përfshirjes së re dhe të zgjeruar të SHBA-së është Steve Bannon, ish-guru politik i Trump. Një tjetër mbështetës konservator i Trump, Tucker Carlson, ka sulmuar figurat e medias së krahut të djathtë që po bëjnë thirrje për luftë me Iranin.
Pas pesë muajsh në detyrë që kanë krijuar përçarje të thella kombëtare, tani duket sikur Trump do të përballet me një sfidë akoma më të vështirë për të fituar mbështetjen e të gjithë vendit./ZËRI