Bota

Hakerat në aksion! "Vidhen" 16 miliardë fjalëkalime të Apple, Facebook dhe Google

Edhe FBI ka nisur që të paralajmërojë qytetarët amerikanë që të mos hapin asnjë SMS të dyshimtë, pasi mund të jetë një mënyrë nga hakerat që të futen në telefonin e tyre.

k.m.
Hakerat në aksion! "Vidhen" 16 miliardë fjalëkalime
Foto ilustruese

SHBA- Ngrihet alarmi për rrjedhjen e më shumë se 16 miliardë fjalëkalimeve nga një sërë llogarish në Apple, Facebook, Google, Telegram dhe GitHub. Sipas revistës "Forbes", kjo shënon shkeljen më të madhe të shënuar ndonjëherë. Rrjedhja e të dhënave u zbulua si pjesë e hetimeve të kryera që nga fillimi i vitit 2025. Autoritetet që po hetojnë çështjen dyshojnë se kemi të bëjmë se rrjedhja e të dhënave vjen si produkt i disa hakerave.

Kështu Google i ka dërguar mesazhe miliarda përdoruesve të platformës që të ndryshojnë fjalëkalimet e tyre. Edhe FBI ka nisur që të paralajmërojë qytetarët amerikanë që të mos hapin asnjë SMS të dyshimtë, pasi mund të jetë një mënyrë nga hakerat që të futen në telefonin e tyre.

"Kjo nuk është vetëm një rrjedhje informacioni - është një plan për shfrytëzim masiv,"- thanë personat e njohur me hetimin.

Çfarë të dhënash u vodhën?

Janë kryesisht kredencialet e hyrjes dhe fjalëkalimet e përdorura për të hyrë në Apple, Google, Telegram. Këto 16 miliardë të dhëna janë të shpërndara në 30 grupe të mëdha të dhënash të vjedhura, të identifikuara nga hetuesit e çështjes që nga fillimi i vitit. Çdo skedar përmban nga dhjetëra milionë deri në disa miliardë informacione. Më i madhi përmban 3.5 miliardë, kryesisht të lidhura me popullatat që flasin portugalisht.

Megjithatë, Cybernews thekson se është e vështirë të vlerësohet numri real i 'viktimave'.

Kush janë palët përgjegjëse?

A fshihen kriminelët kibernetikë pas këtij rasti? Është e vështirë të thuhet me siguri. Megjithatë, mund të thuhet me siguri se sasia kolosale e të dhënave nuk u grumbullua në një ditë të vetme. Ky mal me të dhëna të vjedhura u grumbullua me kalimin e kohës, falë programeve të ndryshme keqdashëse që vepronin në mediat sociale.

Cilat janë rreziqet?

Le të fillojmë me lajmin e mirë? 16 miliardë emrat e përdoruesit dhe fjalëkalimet e mbledhura u ekspozuan publikut në internet vetëm për një kohë shumë të shkurtër. Lajmi i keq: ato ende mbeten në duart e hajdutëve. Kjo sepse kodet dhe fjalëkalimet e Google që janë vjedhur nuk janë të dhëna të parëndësishme. Përkundrazi! Këto kode hapin "derën" për pothuajse çdo shërbim online.

Në internet, disa mjete ju lejojnë të zbuloni nëse të dhënat tuaja janë vjedhur. Një shembull është faqja e internetit "Have I Been Pwned". Në këtë të fundit, thjesht futni adresën tuaj të email-it. Ekzistojnë dy mundësi: nëse është e gjelbër, gjithçka është në rregull. Të dhënat tuaja janë të sigurta. Nëse është e kuqe, email-i juaj me të vërtetë është hakuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB