
IZRAEL- Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, thotë se nuk do të ketë negociata me Shtetet e Bashkuara për sa kohë që sulmet izraelite vazhdojnë. Këtë të premte ai pritet të takohet me tre ministrat e Jashtëm të Britanisë, Gjermanisë dhe Francës.
Sot, ministrat e jashtëm evropianë, përfshirë atë të Britanisë, David Lamy, do të takohen në Gjenevë me homologun e tyre iranian. Duke iu referuar rëndësisë së këtyre bisedimeve, një diplomat evropian i tha Reuters se: Iranianët nuk mund të ulen në tryezën e negociatave me amerikanët, ndërsa ne mundemi. Do t’u themi atyre të kthehen në tryezën e negociatave për të diskutuar çështjen bërthamore përpara skenarit më të keq, duke shprehur shqetësimet tona në lidhje me raketat e tyre balistike, mbështetjen e tyre për Rusinë dhe ndalimin e qytetarëve tanë.
Dy diplomatë i thanë gjithashtu Reuters se nuk ka pritshmëri të larta për përparim të rëndësishëm në Gjenevë, por thanë se bashkëpunimi me Iranin ishte jetik sepse sapo të mbaronte lufta, problemi i programit bërthamor të Iranit do të mbetej i pazgjidhur.