Bota

“Sulm nga 37 pozicione”, Kurti zbulon çfarë u gjet në dokumentet e terroristëve

Sipas dokumenteve që u janë sekuestruar terroristëve që sulmuan veriun e Kosovës, do të kishte një aksion të koordinuar nga 37 pozicione sulmuese

E.K
“Sulm nga 37 pozicione”, Kurti zbulon çfarë u gjet
Kryeministri i Kosoves Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se Policia e ka konfirmuar që ky sulm ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës, përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme.

Kurti ka shkruar se kjo do të pasonte me krijimin e një korridori për në Serbi, i cili do ta mundësonte furnizimin me armë dhe trupa.

“Bazuar në dokumentacionin e konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Twitter.

Gjatë ditës së djeshme, Kurti publikoi pamje të terroristëve serbë që trajnoheshin katër ditë para se të kryhej sulmi i 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.

Në një postim në ‘X’, Kurti shkruante se stërvitjet janë bërë në një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe, në Pasuljanske Livade. Ai shton se sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB